Rama sulmon Haradinajn: Shpifës publik

Rama sulmon Haradinajn: Shpifës publik

Kryeministri Edi Rama e quan shpifës Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, në një deklaratë për Top Channel. Reagimi i Ramës vjen si përgjigje ndaj akuzave të ashpra të Ramush Haradinaj, të bëra dje në emisionin Open të Eni Vasilit.

Kryeministri Rama u shpreh:

“Unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar berllogun me berllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cënuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur”.

Rama e mbrojti vendimin e tij për të paditur Ramushin duke thënë se:

“Uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e berllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës.

Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena!”

Rama sqaroi se ai nuk ka dashur ta ndajë Kosovën:

“E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbretërore! Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij”.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme