Rrëzimi i avionit në Iran, 6 rastet e ngjashme që prej vitit 1973

Nga Exit News
Rrëzimi i avionit në Iran, 6 rastet e ngjashme që prej vitit 1973 Avioni i rrëzuar në Iran.

Pesë shtete i kërkuan këtë javë Iranit dëmshpërblim për viktimat e avionit që ushtria rrëzoi më 8 janar.

Avionit tip Boeing i fluturimit 752 nga Teherani drejt Kievit kishte 176 pasagjerë, 82 prej të cilëve ishin iranianë, të tjerët, kanadezë (63), ukrainas (11), suedezë (10) afganë (7) dhe britanikë (3).

Rrëzimi u raportua fillimisht si aksident, por rreth një javë më vonë u pranua zyrtarisht se ishte rrëzuar nga goditje me rraketa.

Por historia njeh së paku 6 raste të tjera ku avionë civilë janë rrëzuar me rraketa. Exit News sjell të gjitha rastet e shkuara:

2014 – Rrëzimi i avionit malaizjan në Ukrainë

Më 17 korrik, avioni tip Boeing 777 që fluturonte nga Kuala Lumpuri për në Amsterdam u rrëzua në lindje të Ukrainës pasi u godit me rraketa. Të gjithë 298 pasagjerët – 193 prej të cilëve holandezë – vdiqën. Për shkak të konfliktit mes ukrainasve dhe separatistëve pro-rusë, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën.

Në vitin 2019, prokurorë holandezë akuzuan 4 persona për sulmin, duke përfshirë 3 ish-ushtarakë rusë.

2007 – Rrëzimi i avionit biellorus në Somali

Më 23 mars, avioni i mallrave Ilyshin II-76 që fluturonte nga Mogadishu për në Minsk u godit duke vrarë 11 persona që ishin në të. Pjesë e grupit ishin disa inxhinierë të cilët kishin udhëtuar në Somali për të reparuar një avion tjetër të rrëzuar dy javë më herët.

2001 – Rrëzimi i avionit rus në Detin e Zi

Më 4 tetor avioni tip Tupolev-154, që po fluturonte nga Tel Avivi në Novosibirsk shpërtheu teksa po fluturonte 300 kilometra larg bregdetit të Krimesë në Detin e Zi duke vrarë 78 personat që ishin në bord, pjesa më e madhe e të cilëve izraelitë.

Një javë më vonë Ukraina pranoi se ushtria e saj e kishte sulmuar me rraketë.

1988 – Rrëzimi i avionit Iranian nga amerikanët

Më 3 korrik avioni tip Airbus A-300 me 290 pasagjerë që fluturonte nga Irani për në Dubai u godit me rraketa nga amerikanët. Të gjithë pasagjerët vdiqën, 66 prej tyre ishin fëmijë.

SHBA-të paguan rreth 100 milionë dollarë kompensim për viktimat pasi çështja përfundoi në gjyq ndërkombëtar.

1983 – Rrëzimi i avionit koreanojugor nga sovjetikët

Më 1 shtator avionit tip Boeing 747 që fluturonte me 269 pasagjerë nga Korea e Jugut u godit nga ushtria sovjetike teksa po fluturonte mbi ishullin Sakhalin.

Të gjithë pasagjerët vdiqën. Sovjetikët pranuan sulmin 5 ditë më vonë.

1973 – Rrëzimi i avionit libian nga izraelitët

Më 21 shkurt avioni tip Boeing 727 që fluturonte nga Tripoli në Kairo u godit nga ushtria izraelite teksa udhëtonte mbi shkretëtirën e Sinait. Nga 112 pasagjerët, vetëm 4 prej tyre mbijetuan.

Izraeli tha se e qëlloi avionin pasi kishte fluturuar mbi një bazë luftarake dhe kishte refuzuar të ndryshonte drejtim.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme