SHBA ndërmjetëson rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Nga Exit News
SHBA ndërmjetëson rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd Drejtori i Eurowings, Knitter, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, C.O’Brien, dhe Ministri serb i Ekonomisë Trivunac duke nënshkruar.

Autoriteti kosovar i aviacionit nënshkroi sot marrëveshje me kompaninë gjermane Eurowings të grupit Lufthansa për të rihapur dy dhjetëvjeçarë pas luftës linjën Prishtinë-Beograd. Të njëjtën marrëveshje e nënshkruan edhe autoritetet serbe.

Milun Trivunac, sekretar i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë së Serbisë dhe Eset Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës nënshkruan marrëveshje me Drejtorin e përgjithshëm të Eurowings, Michael Knitter.

Marrëveshja u nënshkrua në Ambasadën Amerikane në Berlin nën mbështetjen e Ambasadorit Richard Grenell dhe këshilltarit për sigurinë Robert C. O’Brien.

Përveçse ambasador i SHBA-ve në Gjermani, Grenell shërben edhe si i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump për dialogun Prishtinë-Beograd. Diplomati amerikan ia faturoi arritjen Presidentit Trump teksa u shpreh në Twitter:

“Presidenti Donald Trump na udhëhoqi sërish drejt një fitoreje historike. Kosova dhe Serbia sot nënshkruan një marrëveshje për të krijuar linjën e parë të fluturimeve Prishtinë-Beograd pas 21 vitesh. Faleminderit Lufthansa, NATO, [këshilltari për sigurinë] Robert C. O’Brien, dhe udhëheqës të Kosovës e Serbisë.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e mirëpriti marrëveshjen dhe tha se “ky hap i rëndësishëm do të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Bazuar në rezolutën 1244 të OKB-së hapësira ajrore e Kosovës kontrollohet nga forcat paqëruajtëse të KFOR-it – mision i NATO-s në Kosovë.

Marrëveshja u mirëprit edhe nga Presidenti dhe Kryeministri në largim i Kosovës. Presidenti Thaçi përmes një postimi në Facebook tha se ky hap shënon tjetër përpjekje për normalizim të marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa Kryeministri Haradinaj u shpreh në Twitter se ky ishte hap i rëndësishëm në përparimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe konsolidimit të sovranitetit të Kosovës.

Në 20 vite, autoritetet e aviacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur asnjëherë kontakte.

Më herët, Drejtuesi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, citohet të jetë shprehur se fluturimet pritet të nisin vetëm pas heqjes së taksës 100 për qind që Kosova u vë mallrave serbe që prej vitit 2018.

Taksa 100 për qind u vu nga qeveria e Haradinajt si reagim ndaj politikës bllokuese të Serbisë për njohjet dhe anëtarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo bëri që edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të ndërpriteshin.

11 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme