Shqipëria dëbon në Turqi mësuesin e akuzuar për lidhje me lëvizjen Gülen

Nga Redaksia
Shqipëria dëbon në Turqi mësuesin e akuzuar për lidhje me lëvizjen Gülen Mësuesi turk që u dëbua në Turqi.

Shqipëria dëboi të mërkurën një anëtar të lëvizjes Gülen në Turqi. Rasti nxiti reagim për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për futjen e Shqipërisë në listën e vendeve që i binden Presidentit Recep Taip Erdogan.

Harun Çelik, me profesion mësues, u dëbua mbrëmjen e 1 janarit 2020. Policia tha se “ai ishte kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false”. Ngjarja ka lidhje me faktin se ai akuzohet nga autoritetet turke si anëtar i lëvizjes së Fethullah Gülen, ish-aleatit të Presidentit Edrogan, i akuzuar si terrorist dhe si organizator i grushtit të shtetit të vitit 2016.

Prej rreth 3 vitesh Turqia ka nisur një fushatë arrestimesh në masë të gjithkujt që ka lidhje me organizatën e Gülenit.

Çelik ishte munduar të kalonte tranzit në Shqipëri dhe prej 6 muajsh mbahej i arrestuar. Pyetur nga BIRN, zyra e Kryeministrit largoi përgjegjësitë duke thënë se kjo “ishte një çështje e policisë”.

Partia Demokratike kërkoi transparencë për ngjarjen duke vënë në diskutim nëse dëbimi ishte apo jo në përputhje me ligjet, konventat ndërkombëtare apo të drejtat e njeriut.

“Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës.”

Për dëbimin e Harun Çelik reagoi eurodeputetja Ramona Strugariu. Përmes një postimi në Twitter ajo kritikoi qeverinë shqiptare.

“Kryeministër i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni Harun Çelik në Turqi!”

Neni që citon eurodeputetja thotë se “askush nuk mund të ekstradohet drejt një shteti ku ka rrezik serioz që t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”

Në vitin 2015, Kosova dëboi 5 persona të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE-ja dhe SHBA-të për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave të njeriut.

Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin.

Lëvizja e Fethullah Gülen konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Pakistan dhe disa nga vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Vetë udhëheqësi i kësaj lëvizjeje jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.

4 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme