Si funksionon OSBE-ja – Exit Shpjegon

Nga Exit News
Si funksionon OSBE-ja – Exit Shpjegon Kryeministri Rama.

Shqipëria mori sot presidencën  e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE). Kryeministri Edi Rama tha se Presidenca e Shqipërisë do të kishte synim kryesor mbështetjen e marrëveshjeve të nënshkruara për shuarjen e konflikteve dhe nxitjen e respektimit të tyre. Ai deklaroi se çështja e Ukrainës do të ishte kryesore dhe se për këtë, për punë javësh, do të ishte vendi i parë që do të vizitonte si kryesues i OSBE-së.

Në fakt roli i Presidencës nuk është vendimarrës në këtë organizatë. Exit News sjell më poshtë organet e OSBE dhe rolin e secilës prej tyre.

Presidenca e OSBE-së

OSBE-ja kryesohet, çdo vit, nga një Shtet pjesëmarrës i ndryshëm. Ministri i Jashtëm i atij shteti shërben si Kryetar i Radhës dhe punon bashkë me Kryesinë paraardhëse dhe atë pasardhëse: së bashku, të tria Kryesitë formojnë Trojkën e OSBE-së. Kryetari i Radhës mund të emërojë përfaqësues personal. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit të Përhershëm.

Këshillin e Përhershëm

Këshilli i Përhershëm (KP) është organi kryesor vendimmarrës për konsultime politike dhe për mbarëvajtjen e punës ditore operative të OSBE-së ndërmejt mbledhjeve të Këshillit Ministror të OSBE. KP zbaton, në fushën e tij të kompetencave, detyrat e përcaktuara dhe vendimet e marra nga Samitet e OSBE-së dhe Këshilli Ministror. Takimet e Këshillit të Përhershëm zhvillohen një herë në javë në Vjenë. Ata thirren dhe kryesohen nga Drejtuesi i OSBE. Këshilli i Përhershëm përbëhet nga delegatë të 57 shteteve pjesëmarrëse. Kryesuesi mund të ftojë zyrtarë të nivelit të lartë nga shtetet pjesëmarrëse dhe organizata, institucione dhe iniciativa të tjera ndërkombëtare për të adresuar një takim si folës të ftuar

Sekretariati

I zgjedhur nga Këshilli Ministror për një mandat trevjeçar, Sekretari i Përgjithshëm drejton Sekretariatin me seli në Vjenë dhe mbështet drejtpërdrejt Kryesinë e OSBE-së. Përveç funksioneve administrative, Sekretariati ka në përbërje edhe Qendrën për Parandalimin e Konflikteve, si edhe departamente e njësi që fokusohen në veprimtari ekonomike dhe mjedisore, bashkëpunimin me vendet dhe organizatat partnere, barazinë gjinore,parandalomin e trafikimit, si dhe kërcënimet transnacionale.

Asambleja Parlamentare

Asambleja Parlamentare mbledh mbi 300 ligjvënës nga parlamentet e Shteteve pjesëmarrëse të OSBEsë, për të çuar përpara synimet e OSBE-së për siguri gjithëpërfshirëse përmes dialogut ndërparlamentar. Parlamentarët e OSBEsë luajnë një rol kyç edhe në veprimtaritë e Organizatës për vëzhgimin e zgjedhjeve, bëjnë vizita në terren dhe angazhohen në diplomacinë parlamentare.

OSBE-ja ka në përbërje dhe tre institucione të specializuara.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e vendosur në Varshavë, përkrah zhvillimin demokratik dhe të drejtat e njeriut. Puna e saj përfshin vëzhgimin e zgjedhjeve, mbështetjen e shtetit të së drejtës, nxitjen e tolerancës dhe mosdiskriminimit, si edhe përmirësimin e situatës së romëve dhe sintëve. ODIHR-i organizon Mbledhjen e Zbatimit të Dimensionit Njerëzor, që është konferenca vjetore më e madhe e të drejtave të njeriut në rajonin e OSBE-së.

Përfaqësuesi për Lirinë e Medias, me seli në Vjenë, vëzhgon zhvillimet e medias dhe bën paralajmërime të hershme për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke nxitur respektimin e plotë të të gjitha angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias.

Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare, si instrument për parandalimin e konflikteve, me seli në Hagë, përdor diplomacinë e qetë dhe veprimin e shpejtë për të kërkuar zgjidhjen e tensioneve etnike, që mund të vënë në rrezik paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme