Tjetër komisioner i vetingut i akuzuar për probleme të figurës

Nga Redaksia
Tjetër komisioner i vetingut i akuzuar për probleme të figurës Gjyqtari Ardian Hajdari.

Kontrollorët nuk u kontrolluan. Ata, të cilëve ju besua vetingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve, anëtarët e KPK-së dhe të KPA-së, u përzgjodhën pa asnjë transparencë dhe pa asnjë vlerësim të mirëfilltë të profesionalizmit, integritetit dhe aftësitë së tyre. Vetingu, detyra më e rëndësishme në historinë e drejtësisë shqiptare, një proces me pasoja jo vetëm për vendin, por edhe për të drejtat dhe fatet individuale të qindra njerëzve, iu la në dorë njerëzve të zgjedhur thuajse në mënryë arbitrare pa asnjë vlerësim merite.

Pasojat e kësaj qasjeje të papërgjegjshme po bëhen të qarta çdo ditë. Jo vetëm në standardet e dyfishta, por tashmë është zbuluar se disa nga anëtarët janë emëruar në shkelje të kritereve kushtetuese e ligjore për përzgjedhjen e tyre, dhe kanë probleme pasurore dhe të integritetit të figurës.

Luan Daci u akuzua nga ish prokurorja Sevdari për emërim të paligjshëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Dokumentet e publikuara prej tregonin se Daci ishte shkarkuar në vitin 1997 nga Këshilli i Lartë i Drejtëisë. Në vitin 2016 Daci u përjashtua nga një aplikim në një gjykatë të shkallës së parë për shkak të këtij vendimi.

Në një artikull të mëparshëm ne argumentuam se si komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në rastin e ish Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, shkelëm Kushtetutën dhe ligjin dhe nuk u ndëshkuan.

Së fundmi Exit News ka siguruar një dokument që hedh dyshime të tjera mbi Ardian Hajdarin,  anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).

Ardian Hajdari u emërua si gjyqtar i KPA në qershor të 2017.

Në vitin 2006, Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) hartoi një raport për të gjithë magjistrantët, ku akuzoi zotin Hajdarit për përfshirje në një skemë korruptive sëbashku me gjyqtarin e Shkodrës Andri Ymeri.

Raporti dërguar Presidentit të Republikës Alfred Moisiu shprehet se “gjyqtari Andri Ymeri së bashku me avokatin Ardian Hajdari merrnin rryshfet 1500 deri 2000 euro për çështjet e moshës së pensionit.”

Faksimile të dokumenteve që flasin kundër Hajdarit.

Dokumenti është protokolluar në zyrën e SHISH si dhe atë të Presidencës. Nëse zoti Hajdari do t’i nënshtrohej procesit të vetingut, sikurse të gjithë magjistrantët, ky dokument do të bëhej publik. Me një kërkim më të thelluar të komisionit parlamentar ad hoc mbi të shkuarën e zotit Hajdari, do të hetonte për këtë çështje dhe minimalisht do të kërkonte shpjegime nga gjyqtari Hajdari.

Zoti Hajdari është emëruar në shkelje të ligjit, pasi ai nuk plotëson disa nga kriteret ligjore të parashikuara Ligji i Vetingut.

Zonja Sevdari publikoi disa ditë mbas shkarkimit të saj, disa dokumente të cilat tregojnë se Hajdari nuk plotëson kushtet ligjore të  “përvojës së punës jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues […]” dhe “notën mesatare jo më pak se 8, nëse ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri.”

CV-ja e Hajdarit, dorëzuar komisionit ad-hoc parlamentar për zgjedhjen e gjyqtarëve të KPA-së, dhe që ishte e publikuar deri para pak kohësh në faqen e internetit Lex Ferenda, tregon se Hajdari ishte i regjistruar si avokat në Këshillin Rajonal të Avokatëve të Shkodrës për vetëm 13 vite. Megjithatë, gjatë seancës dëgjimore ai pretendoi se kishte 17 vite përvojë.

Në dosjen e Hajdarit nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë biznes të regjistruar. Kjo do të thotë se ose Hajdari nuk e ka ushtruar kurrë profesionin e tij, ose ai i ka fshehur të ardhurat nga organet tatimore.

Hajdari rezulton me një mesatare prej 6.44 për diplomën e tij universitare në Drejtësi dhe nuk ka diplomë masteri. Hajdari e pranoi këtë gjatë seancës dëgjimore, në komisionin ad hoc parlamentar të Reformës në Drejtësi.

Sipas nenit 6 pika 1 shkronja gj kërkohet që kandidati për KPA të zotërojë guhën angleze shumë mirë. Në dosjen e tij Hajdari nuk paraqiti asnjë dëshmi për njohuritë e tij të gjuhës angleze.

Emërimi i zoti Hajdari shkeli të paktën tre kritere specifik në legjislacionin shqiptar dhe për rrjedhojë ishte i parregullt .Në kushte të tilla, zoti Hajdari duhet të ishte skualifikuar nga gara për në KPA. Në të njëjtën kohë sipas jurisprudencës të GJEDNJ, vendimet e dhëna prej tij për  shkarkimin e prokurorëve e gjyqtarëve janë të paligjshëm.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme