Vetëm 1 i pandehur për 30 milionë euro tendera me falsifikim të DH Albanias

Nga Exit News
Vetëm 1 i pandehur për 30 milionë euro tendera me falsifikim të DH Albanias Foto ilustruese.

Gjykata e Tiranës pranoi të premten kërkesën e prokurorisë për të mbyllur hetimet për tenderat e fituara me falsifikime nga kompania fantazmë DH Albania. Në gjyq nuk përfundon asnjë zyrtar, por vetëm 26 vjeçari Avdjol Dobi, i cili mbetet në kërkim.

Gjykata vendosi të pushojë çështjen për tenderin e fituar nga DH Albania prej Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike (OST), dhe pranoi të çonte në gjyq vetëm administratorin e kompanisë, Dobin, për falsifikimet në tenderin e Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) për lotin e parë të Unazës së Re.

Loti i parë parashikonte ndërhyrjen në rrethrrotullimin te Sheshi Shqiponja. Pasi mediat publikuan faktet se DH Albania kishte falsifikuar datën e regjistrimit në Delawere të SHBA-ve dhe bilancin e 3 viteve, tenderi u pezullua dhe disa muaj më vonë u ritenderua me projekt të ndryshuar.

Përpara tenderit me ARRSH-në, DH Albania kishte fituar nga OST tenderin për ndërtimin e linjës së energjisë Burrel-Peshkopi. Dy tenderat kapnin vlerën totale prej rreth 30 milionë eurove.

Asnjë zyrtar i ARRSH-së, OST-së apo Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), të cilët ishin përgjegjëse për verifikimin e dokumenteve, nuk do të jetë i akuzuar. Prokuroria i tha BIRN-it se “nuk kishte gjetur asnjë prove që t’i lidhte ata me falsifikimet”.

DH Albania me përfaqësues 26-vjeçarin Dobi u regjistrua në Shqipëri në korrik 2018, si degë e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të SHBA-ve njohur si parajsë fiskale.

Në dokumentet e dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh.

Në një hulumtim BIRN ka zbuluar lidhje mes kompanisë fantazmë DH Albania dhe kompanisë së njohur Gener 2; punonjës të së cilës kishin aplikuar për hapjen e një adrese dytësore në Unazë të Re dhe veprime të tjera për llogari të DH Albania. Por ky zbulim i gazetarëve nuk rezultoi nga prokuroria në asnjë akuzë konkrete.

Të enjten ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj denoncoi mbylljen e hetimeve me vetëm 1 të akuzuar në arrati. Ai tha se kjo tregonte kapjen e prokurorisë nga qeveria.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme