’52 Gra Shqiptare’ – Intervistë me Nada Dostin

Nga Alice Elizabeth Taylor
’52 Gra Shqiptare’ – Intervistë me Nada Dostin

Nada Dosti është një aktiviste, gazetare, redaktore, gjuhëtare dhe nënë. Ajo u diplomua për Përkthim dhe Interpretim në Universitetin e Tiranës dhe një Master në Gazetari nga universiteti i Ankaras në Turqi. Zonja Dosti di pesë gjuhë të huaja: anglisht, turqisht, maqedonisht, arabisht dhe italisht.

Ajo është muslimane dhe mban hixhab. Vemendja e saj është përqendruar në promovimin e tolerancës, diversitetit, multikulturalizmit dhe luftimit të islamafobisë dhe formave të tjera të diskriminimit.

Disa nga pjesët kryesore të rrëfimit të Nada Dostit janë:

“Emri im është Nada Dosti, jam nga Durrësi dhe jetoj në Ankara, Turqi, prej shtatë vitesh. Kam qenë gazetare e pavarur për mbi 10 vjet dhe aktualisht jam duke punuar si redaktore e pavarur për institucionet kërkimore TUBITAK.

Në vitin 2014 themelova Muslimania.al, e cila është një faqe në internet me qëllimin për të mbrojtur gratë myslimane në Shqipëri, duke adresuar racizmin anti-musliman dhe gjuhën e urrejtjes, duke promovuar diversitetin dhe histori suksesi të grave në fusha të ndryshme. Ne i japim mundësinë komunitetit tonë të flasë (përmes seksionit Zëri juaj) dhe të ngrejë zërin kundër padrejtësive shoqërore, por edhe për çështje të ndryshme që shqetësojnë komunitetin tonë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Temat për të cilat unë zakonisht shkruaj përfshijnë çështjet gjinore, islamofobinë dhe çështje të tjera që shqetësojnë gratë myslimane. Unë gjithashtu shkruaj për portale dhe revista të tjera.

Jam nënë e një djali 6-vjeçar që flet shqip, turqisht dhe anglisht që më është bashkuar në një sërë aktivitetesh në të cilat kam marrë pjesë.

U mësova me padrejtësinë dhe vështirësitë e jetës në mënyrën më të vështirë. Imagjinoni një vajzë 14 vjeç, me një karakter të fortë, të pjekur dhe me një ide të qartë për identitetin e saj. Një grua e re muslimane që kishte ëndërr të studionte në një shkollë fetare dhe dëshironte të tregonte identitetin e saj duke zgjedhur të vishte hixhabin. Imagjinoni që ëndrra e saj u mohua nga njerëzit që i donte më shumë: familja e saj”.

Pas një beteje rraskapitëse, ajo mundi t’ia dilte, megjithatë, jeta nuk ishte e lehtë. Ajo ndjeu se çfarë do të thotë të mos pranohet në shoqëri vetëm për shkak të identitetit. Ajo u përball me komente diskriminuese, abuzim verbal, komente pas shpine, u dëbua nga Universiteti i Durrësit dhe u detyrua të transferohej në Tiranë për të studiuar, u refuzua në intervista pune për shkak të pamjes.

“Ia dola duke mos u dorëzuar. Kam mësuar si të reagoj, si të kërkoj të drejtat e mia dhe t’I bëj ballë padrejtësisë. Të mësosh se si të tërhiqesh dhe të marrësh pak kohë për veten është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit.

Mendoj se një “shoqëri ideale” do të ishte ajo ku ka  bashkëjetesë midis multikulturalizmit dhe diversitetit, duke respektuar të drejtat e njëri-tjetrit.

Të jesh grua shqiptare në vitin 2020 do të thotë të kesh përballim (ende) të shumë luftërave. Femicidia është ende një problem i madh dhe një tragjedi e madhe e shoqërisë. Ende ka shumë pengesa për gratë shqiptare si shovinizmi mashkullor dhe patriarkalizmi. Ata po luftojnë mijëra beteja dhe po përpiqen të bëjnë më të mirën për të vazhduar e ngritur lart. Ata nuk kanë mbështetjen e nevojshme nga gratë e tjera, duke filluar nga nënat e tyre që i rritin ndërsa mësojnë të mbyllen dhe të qëndrojnë të qetë, nga vjehrra, nga kolegët, miqtë etj. Ata nuk kanë modele rolesh dhe mentorë për t’i ndihmuar ata të mbajnë kokat lart lart.

Të jesh një grua shqiptare në vitin 2020 do të thotë të kesh ende shumë sfida. Por nuk jemi pashpresë. Unë me të vërtetë besoj se ka shumë përjashtime, dhe ky projekt (52 Gra Shqiptare) është një përpjekje e mrekullueshme për ta provuar atë. Ka shumë gra që përpiqen të bëjnë më të mirën për të pasur sukses dhe i tregojnë botës dhe sidomos grave të reja të reja që munden!

Disa herë në Shqipëri më kanë ftuar të bisedoj me studente në shkolla dhe universitete. Jam lënduar shumë kur kam vënë re se shumica prej tyre nuk kanë shpresë, ëndrra dhe plane për të ardhmen. Janë kaq të demoralizaura dhe kanë nëvojë për shembuj, inspirim dhe motivim. Në 5 vitet e ardhshme dua të gjej një mënyrë se si të frymëzoj këto gra dhe vajza në Shqipëri.

Në Shqipëri nuk është e lehtë të jesh gazetar i pavarur, madje shpesh herë mund të jetë dhe e rrezikshme. Kur ju flisni dhe ngriheni kundër padrejtësive, duhet të tregoheni të kujdesshëm. Sigurisht, kam marrë kërcënime se do të më dëmtojnë mua, familjen dhe karrierën time. Është shumë e pakëndshme të qenit nën presion gjatë gjithë kohës, veçanërisht kur nuk keni mbështetjen e të afërmve dhe miqve që thjesht mendojnë se duhet të hiqni dorë nga puna që bën.”


Kjo është intervista e pestë e një serie me 52 intervista.

Intervista u botua më parë këtu.

Përkthyer nga Exit News.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme