8 veprimet e Ramës që Meta i quan grusht shteti

Nga Alba Mborja
8 veprimet e Ramës që Meta i quan grusht shteti

Presidenti Meta ka akuzuar Kryeministrin Rama se ai ka kryer një puç institucional, përmes një sërë veprimesh uzurpuese gjatë dy viteve të fundit.

Meta ka bërë publike një sërë veprimesh dhe ngjarjesh që sipas tij tregojnë se qeveria Rama ka përqendruar gjithë pushtetet në duart e tij dhe po i bën grusht shteti vendit dhe demokracisë.

1. Manipulimi i zgjedhjeve lokale dhe parlamentare

Hetime të prokurorisë, të cilat vazhdojnë të zvarriten, kanë nxjerrë në dritë bashkëpunimin kriminalo-politik për blerjen e votave në zgjedhjet lokale në Dibër 2016 dhe në zgjedhjet parlamentare në Durrës 2017.

Në prill-maj 2019 në publik rrodhën një sërë përgjimesh telefonike të realizuara nga prokuroria, të cilat u botuan të plota nga revista gjermane Bild  në maj 2019.

Në përgjime dëgjohen politikanë, përfshi ish-ministrin Gjiknuri dhe ish-kryebashkiakun Dako, dhe zyrtarë të lartë socialistë që flasin me figura të krimit dhe me vartës të tyre për të ushtruar trysni ndaj zgjedhësve, blerë vota, dhe manipulime të tjera.

Në rastin e Dibrës në përgjime është edhe Kryemisnitri Rama, i cili flet me vartës të tij, në një mënyrë që le të nënkuptohet se ai është në dijeni të skemës për manipulimin e votave.

Në rastin e Durrësit dëgjohen kriminelë të dënuar se si ata përcaktojnë kandidatë lokalë socialist për deputetë, se si zbatojnë një skemë të blerjes së votave dhe se si ushtrojnë trysni ndaj njerëzve për të votuar për kandidatët socialistë.

2.  Shkelja e dekretit të Presidentit për anullumin e datës së zgjedhjeve vendore 209

Më 10 qershor 2019, me votat e 4 anëtarëve socialistë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë dekretin e Presidentit Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore. KQZ mori kështu përgjegjësitë e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk funksiononte prej shumë muajsh dhe nuk funksion ende.

KQZ, për rrjedhojë, nuk njohu as dekretin presidencial për caktimin e një date të re zgjedhjesh dhe i organizoi zgjedhjet më 30 qershor 2019.

3.  Zgjedhje vendore një-partiake

Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 u bojkotuan nga partitë e opozitës. Në 31 bashki të vendit kandidoi vetëm kandidati i Partisë Socialiste. Ndërsa në 21 bashki të vendit kandiduan veç atyre socialistë edhe kandidatë të Bindjes Demokratike—kjo e fundit u regjistrua në zgjedhje nga administrata socialiste në dhunim të ligjit pa qenë ende e regjistruar si parti politike.

Zgjedhjet, edhe pse një partiake, u shënuan nga parregullsi dhe probleme në numërim.

4. Parlamenti njëpartiak dhe i paplotë

Pas lënies së mandatave nga deputetët e opozitës më 18 shkurt 2019, vendet e mbetura bosh në Kuvend u mbushën me kandidatët e renditur në fund të listave të opozitës. Por ku proces mbaroi pa plotësuar të gjitha vendet bosh.

Më 17 qershor 2019, KQZ informoi Presidentit Meta se Parlamenti kishte 122 deputetë nga 140 vende të caktuata me Kushtetutë.

5. Uzurpimi i KED nga Adrian Dvorani

Ardian Dvorani është anëtar dhe kryetar i KED-it për shkak të qenies i vetmi anëtar në detyrë i Gjykatës së Lartë.

Por, Dvorani nuk duhet të jetë gjykatës i Gjykatës së Lartë, pasi Ligji i Lustracionit ndalon ish-prokurorët e regjimit komunist të përfshirë në procese politike të shërbejnë në organet e sotme të drejtësisë.

Dvoranit gjithashtu i ka mbatuar mandati 9-vjeçar, por ai nuk e ka lëshuar ende detyrën prej më shumë se 6 vjetësh duke shfrytëzuar paqartësi apo boshllëqe ligjore, edhe pse për mbarimin e mandatit të tij ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2020, ai u zgjodh në shkelje të ligjit si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 2020, pasi ai ishte ndërkohë nën hetim penal në kohën e shortit, në bazë të një padie nga Presidenti Meta.

Në drejtim të KED-it në vitin 2019, Dvorani ka ndërmarrë një sërë vendimesh  të dyshimta të cilat përbëjnë, në dukje, shkelje ligjore dhe kushtetuese.

6. Uzurpimi i hetimit dhe dublimi i SPAK nga policia

E ashtuquajtura, paketa speciale Anti-KÇK, e miratuar nga qeveria më 31 janar, krijon praktikisht një polici dhe hetuesi në përbërje të ekzekutivit. Ajo krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Strukturat dhe procedurat e reja, që krijon kjo paketë, dublojnë dhe marrin kompetencat që i janë dhënë prokurorisë antikorrupsion dhe antikrim SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

7. Lufta kundë lirisë së shprehjes

Paketa ligjore e njohur si anti-shpifje miratuar nga Kuvendi në dhjetor 2019 parashikon regjistrimin e të gjithë mediave online, mbikëqyrjen e materialeve të publikuara në to dhe gjobitjen ose mbylljen në rast së përmbajtja e tyre cilësohet shpifje nga insitucionet nën varësinë e kryeministrit, AKEP dhe AMA.

E gjithë paketa ligjore u kthye për rishqyrtim nga Presidenti në janar duke argumentuar nga Presidenti se ato cënojnë lirinë e medias, veçanërisht përmes fuqizimit antikushtetues të “forcës shtrënguese” ndaj mediave të dy organeve rregullatore të medias dhe komunikimeve elektronike, AMA-AKEP.

Por më 3 shkurt 2020 u botua në Fletoren Zyrtare, ndryshimet në ligji për komunikimet elektronike”, pjesë e kësaj pakete, duke i miratuar në mënyrë antikushtetuese pa u dekretuar nga Presidenti.

8. Ndryshimi antikushtetues i betimit të gjyqtarëve

Kuvendi miratoi javën e kalur ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, që e bën totalisht të panevojshëm betimin para Presidentit, përpara fillimit të punës së anëtarëve.

Këto ndryshime janë anti-kushtetuese dhe shkelin parimet kushtetuese. Mënyra e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e përcaktuar në Kushtetutë, dhe nuk mund të ndryshohet me ligj por vetëm me amendim të Kushtetutës. Gjithashtu, këto ndryshime cënojnë parimin se ligji nuk ka fuqi prapavepruese përveç në ato raste kur është ligj penal favorizues.

 

 

6 komente

  1. AffiliateLabz 19 Shkurt, 2020 në 8:24 pm

    Great content! Super high-quality! Keep it up! 🙂

  2. Milketa 20 Shkurt, 2020 në 5:00 pm

    Shume sakte dhe qarte .tani duhet te reagojme ne populli indiferent qe presin nga te tjeret.ka ardhur momenti qe te jemi te bashkuar dhe te reagojme vete se sa per te huajt te gjithe e kane ne terezi e nukpo iplas kujt per ne . Po nuk qave nuk pi cice .syte ne balle i kane dhe nuk duan te shikojne qe te mos prishin rehatine etyre .te gjithe te bashkuar ta shprim te keqen .gomarn nga balta i zoti e nxjer.te gjithe bashke ne 2 mars!!!!.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme