Gjiknuri ironizon PD-në: ato që nuk i morën me luftë nuk do t’i marrin me negociata

Nga Exit News
Gjiknuri ironizon PD-në: ato që nuk i morën me luftë nuk do t’i marrin me negociata Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri.

Mazhoranca hodhi poshtë pretendimet se kompromisi për të diskutuar reformën zgjedhore mund të sjellë zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike.

Pas takimit të rradhës që u zhvillua sot në Këshillin Politik, ku ishin present edhe ekspertë nga OSBE-ja, bashkëkryetari i Komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri tha se opozita “nuk mund të marrë në tavolinë” atë që nuk e ka marrë as “me luftë në rrrugë”.

“[qeveria tranzitore] Nuk është në mandatin e këtij grupi pune dhe këtij komisioni. Ato gjëra që nuk janë arritur me “luftë” në rrugë nuk mund t’i marrësh në tavolinën e negociatave. Nuk ka sens të diskutohet kjo gjë në këtë tavolinë. Është një çështje e natyrës politike për të cilën Partia Demokratike ka qasjen e saj por mazhoranca e ka bërë të qartë. Qeveria është kushtetuese, qeveritë teknike nuk janë të dobishme për popullin. Qeveritë janë për të qeverisur vendin dhe ligji zgjedhor është për të garantuar një proces të rregullt e të barabartë mes palëve.”

Deklarata e Gjiknurit vjen në një kohë kur gjatë ditës së sotme Kryetari i PD-së Basha deklaroi se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme vendore dhe parlamentare në një ditë. Basha u shpreh se PD po punon për ta arritur sa më shpejt këtë gjë. Ai theksoi se reforma administrative e vitit 2014 ka dështuar dhe nënkuptoi se kjo duhet diskutuar paralelisht me reformën zgjedhore.

Për sa i përket diskutimeve që u zhvilluan sot në Këshillin Politik, përmes Oerd Bylykbashit opozita kërkoi që korrupsioni zgjedhor të hetohet nga SPAK, por Gjiknuri tha se kjo çështje duhet të shqyrtohet me ekspertët dhe çdo zgjidhje duhet të bëhet me kompromis.

“Kemi bërë propozime për rolin që duhet të ketë prokuroria në goditjen e krimit zgjedhor, në mënyrë të posaçme korrupsionin zgjedhor dhe futja e këtij të fundit në kompetencat e SPAK. Krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të larta të drejtësisë. Bashkë me ekspertizën e ODIR besojmë që do ecim me shumë shpejtësi.”

Bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari tha se opozita duhej t’i kishte paraqitur më parë propozimet.

“Në përgjithësi ramë dakord dhe treguam vullnetin për punët e javës në vijim. Ishim me ekspertë nga të gjitha fushat. Eksperti jonë, do merret me ndryshimin e sistemit. Kishte edhe propozime të tjera që erdhën nga PD-ja, por vijnë të një natyre politike. Perfeksioni nuk arrihet, por do gjendet konsensusi, që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR. Pika të rëndësishme që të jenë në plan afatgjatë. Nuk u ra dakord për asgjë, por pati një vullnet të mirë për t’i akorduar ekspertët me njëra-tjetrin dhe si dhe funksionojnë në ditët ne vijim”.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme