Rama-Veliaj tërhiqen nga PPP-ja e teatrit, befas kanë fonde publike për ndërtimin

Nga Exit News
Rama-Veliaj tërhiqen nga PPP-ja e teatrit, befas kanë fonde publike për ndërtimin Teatri Kombetar.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj janë tërhequr nga projekti për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar me partneritet publik-privat (PPP).

Bashkia Tiranë njoftoi sot se teatri nuk do të ndërtohet nga paratë e privatit por nga paratë publike. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Bashkia pohoi se:

“[…] do t’i kërkojë qeverisë […] ta mbështesë financiarisht për realizimin e Teatrit Kombëtar […]”

Prej dy vitesh Rama dhe Veliaj kanë justifikuar projektin e PPP-së me argumentin se Bashkia dhe qeveria nuk kanë fonde për ta përballuar ndërtimin.

Projekti i PPP-së, mbështetur me ligj special, parashikonte shembjen e teatrit dhe ndërtimin nga privati.

Në këmbim privatit i jepej sipërfaqe trualli dhe leje për të ndërtuar kulla. (Lexo këtu: Ligji special i teatrit u ndryshua për ta zgjedhur Fushën pa qenë nevoja për t’ja përmendur emrin). Ligji aktualisht është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti.

Vlen të thuhet se deklarata e sotme e Bashkisë Tiranë është e para që bëhet në 6 muaj që pas hapjes së tenderit për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Tenderi u hap në korrik 2019. Kompanitë kishin afat deri në shtator për të dorëzuar oferta, por Bashkia nuk dha asnjëherë informacion rreth vendimmarrjes dhe procedurat e ndërmarra. Sot ajo deklaroi se:

“Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit […] nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.”

Bashkia shprehet se puna për ndërtimin e teatrit të ri do të nisë brenda këtij viti dhe se do ta ndërtojë “në një kohë më të shkurtër dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike”.

3 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme