SPAK heq nga sekuestro pasurinë e një prej të dyshuarve që vranë Jan Prengën

Nga Exit News
SPAK heq nga sekuestro pasurinë e një prej të dyshuarve që vranë Jan Prengën Foto ilustruese, një prej shtëpive të sekuestruara nga OFL.

Shqiptarja.com raportoi se Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) hoqi nga sekuestroja banesën njëkatëshe të cilën Operacioni Forca e Ligjit (OFL) i sekuestroi Aldo Manishtës në Shkodër.

Manishta është në kërkim si i përfshirë në pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. OFL ia sekuestroi banesën më 22 shkurt, bashkë me pasuritë e Martin Bletës, Ardian, Artan dhe Gentian Doçit si dhe të një dyshuari tjetër. Policia tha se aksioni lidhej me pengmarrjen e Prengës, së ndodhur më 17 janar.

Mediat raportojnë se SPAK e ka konsideruar sekuestrimin e banesës së Manishtës në “kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ” pasi “nuk ka ardhur si rezultat i parave të krimit”.

Nga të gjitha pronat e sekuestruara deri më sot nga OFL kjo është prona e parë që SPAK heq nga lista dhe nuk e çon për vendim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit.

Ndryshe nga rasti i Manishtës, SPAK ka dërguar për vendim 7 raste të tjera. Mes tyre janë sekustrimet ndaj familjes Hajri në Shijak, familjes Doçi në Shkodër dhe Taullau në Lushnje.

Deri më sot OFL u ka kërkuar justifikimin e pasurisë mbi 20 personave dhe rreth 25 të tjerëve pritet t’u kërkohet ditëve në vazhdim.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme