Zhvillimi i Shqipërisë si narrativë e vërtetë përballë iluzionit të integrimit

Nga Vehap Kola
Zhvillimi i Shqipërisë si narrativë e vërtetë përballë iluzionit të integrimit

Shqiptarët po largohen drejt vendeve të Europës për shkak të dështimit të brendshëm të Shqipërisë, jo për shkak të dështimit të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Megjithatë, politikanët në Tiranë nuk reshtin së kujtuari njëri-tjetrit se si sjellja politike përkatëse po dëmton hapjen e negociatave.

Ata propozojnë reciprokisht plane dhe platforma për të përshpejtuar integrimin. Madje gjatë periudhave të tensionit politik, palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti të vërtetë për ta bërë Shqipërinë pjesë të të ashtuquajturës familje të madhe europiane.

Në një tango të pazakontë një hap para, një prapa, elita politike e Tiranës e ka mbajtur Shqipërinë në një distancë konstante nga BE-ja. Por kjo do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e burokratëve në Bruksel.

Në një marrëveshje të heshtur ndërmjet tyre, drejtuesit politikë shqiptarë dhe ata europianë kanë ushqyer qytetarët shqiptarë me lugën bosh të perspektivës së integrimit. Raportet vjetore të progresit janë të pandryshueshme: Shqipëria ka bërë hapa para, por ka ende punë për të bërë për të merituar integrimin.

Pas afro 20 vitesh nga Pakti i Stabilitetit, BE-ja dhe Shqipëria duket se kanë arritur të konsolidojnë një ekuilibër të ngrirë, ku data e anëtarësimit të mundshëm zhytet gjithnjë e më thellë në të ardhmen.

Studiuesit e kulturës i klasifikojnë vlerat kulturore në 2 grupe kryesore: në vlera përfundimtare, përmbushja e të cilave është qëllim i ekzistencës së një bashkësie kulturore, dhe në vlera instrumentale, respektimi i të cilave i shërben garantimit të vlerave përfundimtare.

Klasa politike shqiptare u ka ofruar qytetarëve gjatë gjithë tranzicionit një hierarki të përmbysur vlerash. Si vlerë terminale ajo u ofron hyrjen në BE, ndërsa përmirësimin e jetës dhe zhvillimin e vendit e projekton si një vlerë me rëndësi instrumentale. Pra, ne kemi si qëllim të hyjmë në BE: përmes zhvillimit apo përmes iluzionit të zhvillimit, kjo nuk është fort e rëndësishme.

Mirëpo, përmbysja e kësaj piramide vlerash nuk është pasojë e mosnjohjes nga elita politike, ekonomike e intelektuale e rendit të natyrshëm të këtyre vlerave. Asnjë vend nuk është krijuar për t’u integruar në një vend apo organizëm më të madh, por për të funksionuar dhe për të patur sukses në xhunglën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nëse integrimi është një mundësi edhë më e mirë që zhvillimi i arritur të mbrohet dhe të zgjerohet më tej, ai përqafohet. Por, ai nuk mund të zëvendësojë qëllimin natyror të vetë shteteve tona kombëtare.

S’do mend se elita politike, ekonomike dhe intelektuale e Tiranës e ka shumë të qartë se si janë ngritur nga hiri i luftërave shkatërrimtare vende të rajonit dhe Europës Lindore, të cilat janë sot pjesë e BE-së. Shqipëria e ka provuar edhe lidershipin rajonal në afrimin me Brukselin. Rruga e hyrjes së Shqipërisë në Europë kalon nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe konsolidimi i demokracisë dhe lirive njerëzore.

Pas dështimit të plotë ekonomik e politik të vendit, shqiptarët kanë vendosur të shkojnë në Europë, kësaj here individualisht, si emigrantë ekonomikë, si punëtorë sezonalë apo si azilantë politikë. Edhe në Europë, shqiptarët nuk po shkojnë për t’u integruar, por për të gjetur mundësitë për mirëqenie, edukim, shëndetësi dhe siguri që nuk ua garantoi dot Shqipëria e 20 viteve të fundit.

I vetëdijshëm për këtë zhgënjim dhe kthjellim të pjesës dërrmuese të shqiptarëve, Edi Rama, përgjegjësi më i madh për dështimin e brendshëm të Shqipërisë dhe largimin e saj edhe nga destinacioni europian, ka qenë më i guximshëm se opozita për të luajtur rolin skeptikut ndaj BE-së.

Duke përdorur mjeshtërisht debatet e brendshme të Europës si pretekst për moshapjen e negociatave, ai është në gjendje të maskojë kolapsin e brendshëm ekonomik dhe kapjen e të gjithë pushteteve prej tij. Kështu, ai jo vetën ngushëllon mbështetësit e tij, por koleksionon edhe simpatinë e të deluzionuarve nga retorika boshe e integrimit.

Duke qenë se narrativa e madhe e integrimit europian shërben për të përtërirë ditë pas dite besëlidhjen e klasës politike shqiptare me burokracinë në Bruksel, është e kuptueshme që opozita e ka më të vështirë të artikulojë qëndrime të drejtpërdrejta. Ajo ka më shumë nevojë se pushteti për legjitimim dhe partneritet nga faktori ndërkombëtar. Rama e ka përdorur djallëzisht narrativën e integrimit si strategji për të kompleksuar opozitën, që kjo e fundit të mos luajë rol aktiv në denoncimin e shkeljes së të drejtave të njeriut, lirive politike dhe korrupsionit në të gjithë zyrat europiane.

Narrativa e madhe e integrimit është përdorur edhe për të zëvendësuar burimin e brendshëm të legjitimitetit politik me burimin e jashtëm, BE-në. Pamundësisë për të përjetësuar këtë sundim me legjitimitet të brendshëm, pasi publiku nuk mund të besojë pafundësisht të njëjtën gënjeshtër, establishmenti në Tiranë i është përgjigjur duke u kthyer për legjitimitet tek zyrtarët e painteresuar të Brukselit. Gjithë sa më sipër vërteton se establishmenti politik nuk synon zhvillimin e Shqipërisë, por sundimin e saj.

Opozita ka detyrimin që t’u ofrojë shqiptarëve një narrativë të vërtetë të zhvillimit të vendit. Kjo narrativë duhet të vendosë si objektivin e saj përfundimtar Shqipërinë vend plotësisht demokratik, i zhvilluar dhe i drejtë për qytetarët e saj. Përpara se të lutet për t’u anëtarësuar me hatër dhe me kushte në forumet ndërkombëtare, Shqipëria duhet të bëhet e denjë për t’u bërë pjesë e çdo tavoline ndërkombëtare që udhëhiqet nga liria, zhvillimi dhe drejtësia.

Për të shuar çdo dyshim mbi orientimin europian perëndimor të opozitës, kjo e fundit mjafton të shndërrojë kërkesat e Komisionit Europian dhe Departamentit të Shtetit në program të sajin. Realizimi i këtij programi do ta bënte Shqipërinë jo vetëm anëtare të denjë të BE-së, por mbi të gjitha vendin ku shqiptarët duan të jetojnë.

Demokracia, shteti ligjor, luftimi i krimit dhe zgjatimeve të tij në ekonomi dhe politikë, çlirimi i tregjeve nga monopolet për të kthyer konkurrencën, dënimi i korrupsionit, mbrojtja e pronësisë dhe pasurisë, taksimi i drejtë, zhvillimi i transportit, edukimi cilësor dhe shërbimi mjekësor, zhvillimi rural dhe mbrojtja e mjedisit janë terma të abuzuar nga çdo parti politike që ka ardhur në pushtet.

Opozita duhet të ofrojë garanci për vërtetësinë e angazhimit të saj. Garancia e parë që ajo duhet të ofrojë është demokratizimi i saj i brendshëm si prelud i demokratizimit të vendit kur ajo të vijë në pushtet. Garancia e dytë janë njerëzit që ajo u ofron shqiptarëve si ekip qeverisës. Qytetarët presin prej opozitës një ekip me integritet njerëzor e profesional për të nxjerrë Shqipërinë nga kolapsi dhe mungesa e besimit.

Garancia e tretë është çelja dhe zhvillimi i debateve të vërteta brenda radhëve të opozitës për secilën nga fushat e përmendura më sipër. Një opozitë që qëndron e heshtur dhe në vend të debatit teknik ofron vetëm denoncime nuk krijon bindjen se ajo e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë në pushtet.

Regjimi i Edi Ramës e ka shfrytëzuar narrativën e integrimit për të ndërtuar një imazh të rremë për Shqipërinë, ndërkohë që e vërteta e vendit është ajo e familjeve që ikin natën me autobusë dhe janë të gatshëm të qëndrojnë me vite në kampet e azilkërkuesve. Shqiptarët që janë gati të pranojnë edhe vuajtje e sakrifica afatgjata janë treguesi më flagrant i shuarjes së çdo ëndrre edhe për të ardhmen e largët të fëmijëve në këtë vend.

Opozita ka detyrimin që të ofrojë një angazhim të vërtetë, jo një fotografi të manipuluar të realitetit të këtushëm. Vetëm me të vërtetën ajo mund t’u kthejë qytetarëve një fije shprese për të jetuar në Shqipëri dhe të fitojë mbështetjen e tyre për ta bërë realitet këtë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme