Zyra e Pompeut dhe Rama deklarata të ndryshme rreth takimit mes tyre

Zyra e Pompeut dhe Rama deklarata të ndryshme rreth takimit mes tyre Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kryeministri Rama dhe Departamenti i Shtetit kanë bërë dy deklarata të ndryshme mbi temat e diskutuar sot mes Sekretarit Mike Pompeo dhe Kryeministrit Rama.

Sipas njoftimit për shtyp të publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo dhe Edi Rama kanë diskutuar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, prioritete e presidencës shqiptare të OSBE-së, për reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, për angazhimet në NATO, dhe për veprimet kundër aktiviteteve “malinje” iraniane.

“Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo u takuan sot me Kryeministrin e shqipërisë Edi Rama në Uashington. Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Rama diskutuan prioritetet gjatë Kryesisë së Shqipërisë në vitin 2020 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Sekretari theksoi mbështetjen e fortë të SHBA-ve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për reformën në drejtësi dhe përpjekjet për reformën zgjedhore.

Sekretari gjithashtu e përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për ndarjen e detyrimeve të NATO-s, për veprimet kundër veprimtarisë malinje iraniane, dhe për ndërmarrjen e një roli lideri në mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit të gjeneratës së ardhshme”, njofton zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Ndërsa, Kryeministri Rama tha se diskutoi me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo për planin e rindërtimit, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi.

“Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Rama në Facebook.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme