Çfarë ndodh tani pas rënies së qeverisë në Kosovë?

Nga Exit News
Çfarë ndodh tani pas rënies së qeverisë në Kosovë? Kryeministri Kurti dhe Presidenti Thaçi.

Qeveria Kurti, e cila u shkarkua të mërkurën, me një mocion mosbesimi të kërkuar nga LDK, partneri i saj në qeveri, do të vazhdojë të mbetet në detyrë deri në krijimin e një qeverie të re.

Se si do të krijohet kjo qeveri e re është zgjedhje e Presidentit të Kosovës, i cili ka dy mundësi.

Presidenti ka të drejtë kushtetuese të vendosë ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda afatit 30-45 ditë nga shpallja e vendimit të Presidentit.

Kjo gjë ka pak të ndodhë në kushtet e tanishme, kur është praktikisht e pamundur të organizohen votime, për shkak të kufizimit të levizjes.

Opsioni tjetër kushtetues i Presidentit të Kosovës është të provojë krijimin e një qeveri të re nga Kuvendi i tanishëm.

Procedura në këtë rast është e njëjtë me atë të krijimit të qeverisë së parë. Presidenti i kërkon Vetëvendosjes, partisë së parë në zgjedhje, të caktojë një kandidat për kryeministër dhe e mandaton atë për krijimin e qeverisë.

Kandidati për kryeministër nuk ka ndonjë kufizim kohor për krijimin e qeverisë së re dhe ky proces mund të shkojë shumë gjatë—pas zgjedhjeve të tetorit shkoi thuajse tre muaj.

Nëse kandidati i Vetëvendosjes nuk arrin dot të krijojë një qeveri pasi nuk formon dot një shumicë parlamentare në mbështetje të saj, ai njofton Presidentin, i cili mund t’ja kalojë të drejtën për formimin e një qeverie partisë së dytë, pra LDK-së.

Kjo gjë nuk është e përcaktuar shprehimisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por është e nënkuptuar. Kjo qasje u ndoq herën e fundit, pas dorëheqjes së qeverisë së Ramush Hardinajt, kur PDK-së së Kadri Veselit iu dha mundësua por refuzoi të merrte të drejtën të provonte krijimin e një qeverie të re, duke detyruar Presidentin Thaçi të shpallte zgjedhje të parakohshme.

Teorikisht ky proces mund të vazhdojë deri sa të krijohet një qeveri ose të dështojnë të gjitha partitë që kanë përfaqësim në Kuvend, kur mbetet vetëm mundësia e zgjedhjeve të reja. Sidoqoftë, në praktikë ky proces nuk zgjat përtej 2-3 partive kryesore.

Ajo që është e sigurtë tani është që Albin Kurti do të mandatohet sërish për të bërë një qeveri të re. Ai do ta ketë thuajse të pamundur ta bëjë këtë gjë gjykuar nga vota totalisht në bllok kundër VV nga të gjitha partitë e tjera parlamentare.

Kurti mund të zgjedhë ta vonojë procesin, por herët a vonë do të duhet të tërhiqet duke ja lënë rradhën LDK-së.

Në qarqet politike të Kosovës është duke u folur se LDK (28 deputetë) ka arritur një marrëveshje në parim për të krijuar një qeveri së bashku me AAK-në e Haradinajt (13 deputetë), Nismën (gjashtë deputetë) dhe deputetët e pakicave (20 deputetë).

Edhe sikur Vjosa Osmani dhe dy deputetët që votuan kundër mocionit të mos e mbështesin një koalicion të tillë, ai prapë mund të sigurojë deri në 63 deputetë.

Sidoqoftë, çdo gjë do të qartësohet në ditët e ardhshme. Presidenti Thaçi ka 10 ditë në dispozicion që të bëjë zgjedhjen nëse do shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme apo do të rimandatojë Kurtin për të filluar përpjekjet për një qeveri të re.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme