Frika nga vdekja tregoi dallimin mes shqiptarëve dhe oligarkëve

Nga Vehap Kola
Frika nga vdekja tregoi dallimin mes shqiptarëve dhe oligarkëve

Këto ditë, pak njerëz në Shqipëri nuk i ka topitur frika nga vdekja prej epidemisë së koronavirusit. Më pak i frikësuari prej nesh është vetë burimi kryesor i përhapjes së këtij paniku dhe shkaktari më i madh i kësaj pasigurie, Edi Rama.

Veç tij, me përjashtim të disa kokave të ftohta, të gjithë jemi shndërruar në tellallë, që përsërisim paralajmërimet e tij dhe u bëjmë amin sokëllimave të tij për gjoba dhe ndëshkime të reja ndaj shqiptarëve, të cilët, të pavetëdijshëm apo të pazotë për të parandierë rrezikun e sëmundjes, shkelin oraret e lëvizjes së lejuara nga Edi Rama.

Portalet janë mbushur me mjekë, politikanë, gazetarë, ekonomistë, shkrimtarë dhe inxhinierë që thonë të njëjtat gjëra: ato që thotë Edi Rama.

Këtu, sigurisht, bëjnë përjashtim kryetari i opozitës, i cili ia ka prishur njëtrajtshmërinë kësaj simfonie me propozimet social-ekonomike për të zbutur krizën nga ndëprerja e veprimtarisë ekonomike, një shkrim i analistit Neritan Sejamini, që propozon një rrugë liberale për të zbutur krizën ekonomike, qëndrimet e ekonomistit Gjergj Buxhuku, analizat e gazetarit të ekonomisë Klodian Tomori dhe bilanci i politologut Ilir Kalemaj mbi kostot që do të shkaktojë kjo krizë.

Ndërsa lista e zërave publikë, madje edhe kritikëve të Ramës, që besojnë se ai po bën mirë që vetëm po paralizon aktivitetin social-ekonomik dhe po vë gjoba për shkelësit e urdhëresave të tij, është shumë e gjatë.

Ndonëse të gjithë mbështetësit e urdhëresave të Ramës kujtojnë modelet e kufizimit të lëvizjes në vendet perëndimore, ata harrojnë të verifikojnë nëse atje ekzistojnë mundësi sado të vogla që masa të tilla ta rrudhin përfundimisht demokracinë dhe të rikthejnë ndonjë formë tiranie.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, i cili ka shkrirë të gjitha institucionet veç qeverisë së tij dhe që ka shtënë në dorë të gjithë pushtetet, ky skenar është i sigurtë.

Shqipëria e Edi Ramës nuk ka asgjë të përbashkët me demokracitë e konsoliduara, institucionet e pavarura dhe kulturën demokratike të Italisë, Spanjës apo Francës, të cilave u referohen mjekët, gazetarët apo mbështetësit e Edi Ramës kur mbrojnë politikën e tij të kërbaçit pa kulaç për menaxhimin e emergjencës shëndetësore.

Të konvertuarit e rinj në mbështetës të Edi Ramës nuk duken se kanë ndonjë brengë të përbashkët me shumicën dërrmuese të shqiptarëve të thjeshtë, të cilët në fund të këtij muaji, në mos që më herët, do t’i kenë mbaruar të gjitha paratë e pages, apo do të kenë mbushur plot listën me borxhe te marketi i lagjes dhe s’do të kenë as të hanë.

Këta mbështetës shpesh kanë aq para mënjanë, sa do t’u mjaftonte të jetonin në paqe deri në fund të jetës, pa e vënë ujin në zjarr për të punuar. Edhe nëse e kanë kritikuar Ramën vitet e fundit, ata mund të rregullohen prapë me të dhe t’i japin sërish mbështetjen që e solli në pushtet.

As përgjigjet financiare të qeverive të këtyre vendeve ndaj kushteve të reja ekonomike e shoqërore nuk kanë rëndësi, siç duket. Të painteresuar për fatin e shumicës dërrmuese dhe të varfër të shqiptarëve, që përpara se të vdesin nga pandemia rrezikojnë të vdesin nga uria, mbështetësit e rinj dhe të vjetër të Edi Ramës besojnë se ai kaq mundet, kaq bën.

Por a mundet, për shembull, Edi Rama të anulojë koncensinin e Rrugës së Kombit dhe të mos i japë koncensionarit 5 milionë euro në vit për të paktën 13 vite?

Kontrata parashikon që buxheti i shtetit t’i paguajë kompanisë 66 milionë euro në 13 vitet e ardhshme si subvencion për trafikun e munguar. Ndërkohë, vetëm vitin e kaluar kompania mori 18% më shumë fonde nga shteti se ç’parashikohej në kontratë.

5 milionë eurot e kursyera në buxhet nga anulimi i kësaj kontrate le t’i alokohen shëndetësisë për të shtuar shtretërit dhe për të blerë respiratorë për të prekurit në rritje nga pandemia. Nuk po merremi fare me efektin financiar pozitiv që do të kishte anulimi i kësaj kontrate në shkëmbimet tregtare me Kosovën.

Përveç se të zgjasë në kohë radhën e prekjes nga koronavirusi dhe të rezervojë një respirator, mundësisht në spital privat, për të kamurit që duartrokasin mpirjen e veprimtarisë social-ekonomike në Shqipëri, Edi Rama mund të anulojë edhe koncesionin e sterilizimit, që 100-fishon shpenzimet buxhetore për këtë zë. Vetëm vitin e fundit qeveria e Ramës i pagoi koncesionarit 14 milionë euro, 4 milionë euro më shumë edhe se kontrata 100-fishuese e kostos së sterilizimit.

Anulimi i kësaj skeme PPP i kthen buxhetit 10 milionë euro në vit dhe 200 milionë euro në 20 vitet e ardhshme. Kjo është një tjetër gjë që Edi Rama mund të bëjë, përveç se të shpëtojë nga vdekja ish-kritikët e konvertuar në mbështetës të tij pa kushte.

9 milionë eurot e kursyera nga kjo kontratë le t’u shpërndahen kesh shqiptarëve të varfër, që kanë humbur vendet e punës apo mikrobizneset e familjeve të tyre nga masat e qeverisë kundër pandemisë.

Paketa financiare e paraqitur nga Rama është e qartë vetëm në një pikë: ajo do t’i japë Ministrisë së Shëndetësisë 25 milionë dollarë për të blerë tamponë testimi dhe respiratorë shtesë. Për biznesit dhe familjet e prekura nga pezullimi i aktivitetit ekonomik, Rama do të vërë në dispozicion një fond prej 65 milion dollarë, por askush nuk e di se si do të shpërndahen dhe si do të përfitojë ekonomia prej tyre. Me korrupsionin galopant të kësaj qeverie, ka shumë gjasë që kjo shumë e akorduar të ketë fatin e çdo fondi publik: të përgjysmohet rrugës drejt xhepave të biznesit apo qytetarëve.

Zërat e tjerë të paketës së Ramës janë po aq propagandistikë dhe iluzorë sa i gjithë fjalimi i tij lajkatues dhe topitës. Mbi të gjitha, Rama nuk preku asnjë cent nga paratë që ai u jep oligarkëve me skemat korruptive koncesionare. Kështu, ai meriton mbështetjen e tyre dhe të ish-kritikëve për garancitë që ofron se do t’u shpëtojë jetën nga epidemia.

Klima e biznesit, e përkeqësuar sa më s’ka edhe para kësaj emergjence shëndetësore, nuk meriton asnjë përpjekje qeveritare. Asnjë propozim liberalizues dhe çlirues i tregjeve nga monopolet dhe oligarkia nuk përfshihet në paketën e Ramës.

Sakrifica e shqiptarëve që do të vdesin nga kjo epidemi nuk është e mjaftueshme për Ramën dhe për ata që janë kthyer në mbështetës të tij. Shqiptarët duhet të bëjnë edhe plot sakrifica të tjera që sëmundja të na prekë ngadalë dhe të ketë gjithmonë respiratorë të lirë. Kështu ish-kritikët e kamur do të shpëtohen e do të shijojnë pasurinë e vënë mënjanë.

Shqiptarët duhet të izolohen brenda shtëpive, të vuajnë e ndoshta të vdesin urie, të hanë njëri-tjetrin kur të mos kenë ç’të hanë tjetër, t’ia nisin edhe njëherë nga zero, në mbeçin gjallë nga epidemia apo uria, vetëm e vetëm që asgjë të mos rrezikojë prishjen e kurbës së lumturisë për oligarkinë dhe lëvdonjësit e rinj të Ramës.

Frika nga vdekja u tregoi shqiptarëve se kush janë ata që vërtet e duan lirinë dhe Shqipërinë dhe kush janë ata që luftojnë për fitimet e tyre personale.

2 komente

  1. Teo 24 Mars, 2020 në 4:51 pm

    Më duket se ju jetoni në hënë dhe nuk keni marë vesh se çfarë po ndodh në tokë. Per njerëz si ju nuk ka rëndësi jeta e njeriut, por politika e varfër dhe cëmira për të treguar se jeni më të zotë se kryeministri aktual. Në se pretendoni se i keni këto aftësi, demokracia ju garanton që të konkuroni për kryeministër në zgjedhjet e ardhëshme elektorale. Në se e fitoni, shkrieni talentin tuaj dhe vini në dispozicion të shqiptarëve gjithë buxhetin e shtetit duke paralizuar çdo investim aktual. Pastaj në fund të fundit kujt i prishet puna se përfundojmë në vrimën e zezë.
    Nga Italia

  2. Bilal Ribery 25 Mars, 2020 në 9:35 am

    Qe kryeministri aktual ne rastin me te mire eshte i paafte per menaxhimin e fondeve publike, kjo ka qene e qarte si drita e diellit qe ne fillimet e te ashtuquajtures rilindje. Rilindoret qe ne mandatin e pare, e kane shfrytezuar pushtetin duke vepruar si te ishin ditet e fundit te cdo mandati. Ne 2017 premtimet e vetme ishin “timon dhe tepsi” dhe besoj se te gjithe i kane pare pasojat. Vete caktimi i nje ministri, i cili ishte larguar nga financat publike, per te administruar parate e dy emergjencave aktuale, tregon qarte se ku do shkojne parate e emergjencave. Meqenese ato 1.17 miliard euro te premtuara, shumica ne forme kredije, per te eliminuar pasojat e termetit, zor se do te vine pas kesaj krize mbareboterore, iu dha te njejtit person edhe menaxhimi i parave te kesaj krize. Te behet minister per menaxhim fondesh nje mesues anglishteje, kjo nuk ndodh ne asnje vend te botes, por ne jemi rast i vecante pasi jemi i dyti rast me bote qe kemi km nje piktor te dershtuar. Pasojat e rastit te pare dihen boterisht. Ne rastin e dyte, po i prekim cdo dite ne shqiptaret. Me sa duket, po mendohet qe ata qe quhen oligarke, te marrin paradhenje fitimet e tyre qe do bien ndjeshem nga renja e fuqise blerese pas perfundimit te kesaj krize duke krijuar keshtu nje disnivel te jashtezakonshem dhe duke bere qe te kete vetem nje grusht pasunaresh, pa nje shtrese te mesme dhe te gjithe te tjeret ne kete vend te jene te varfer. Ne kete menyre, sistemi politik te ngjasoje me ate te para viteve 90 ku nke grusht njerezish te kishin gjithcka, ndersa pjesa dermuese te ishte poshte minimumit jetik. Per t’u mbajtur nje sistem i tille, natyrisht qe duhet nje dore e forte. Piktorit shqiptar, natyrisht qe i mungon guximi i piktorit te viteve 30, pra nuk mund te arrije aty ku arriti ai, ama strukturat per ta mbajtur diktaturen ne kembe kane qene te gateshme dhe mentaliteti i tij, si dhe pergatitja e tij qe femije, ka qene per kete gje. Pas 45 viteve diktature komuniste, kjo eshte fatkeqesija me e madhe qe i ka rene Shqiperise. Pasojat e termetit do eliminohen nje dite. Covidi do zhduket ashtu sic erdhi. Por pasi te numerojme demet njerezore, do shohim se do kemi humbur gjene me te shtrenjte, lirine. Thjesht per faktin se do na duhet te mendojme per te mbijetuar para ketij grushti njerezish gjakpires

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme