Minimumi i minimumit: paketa e ndihmës (së munguar) të qeverisë

Nga Neritan Sejamini
Minimumi i minimumit: paketa e ndihmës (së munguar) të qeverisë

Kryeministri Rama paraqiti të premten në mbrëmje një sërë masash financiare për të përballuar krizën nga koronavirusi dhe pasojat shoqërore dhe ekonomike të saj.

Përtej disa shifrave dhe kategorive shumë të përgjithshme të përmendura, Kryemisnitri nuk ka dhënë ende asnjë sqarim në lidhje me mënyrën e lëvrimit të ndihmës dhe përfituesit e saktë të saj.

Më poshtë po ofroj disa komente në lidhje me këtë paketë bazuar me aq pak infromacon publik sa dihet.

Mbështetja emergjente për shëndetësinë dhe njerëzit në nevojë

Qeveria ka caktuar rreth $55 milionë për emergjencën shëndetësorë dhe humanitare—$25 milionë për pajisje dhe mjete shëndetësore; rreth $20 milionë për mbështetjen e njerëzve në gjendje shumë të vështirë ekonomike; dhe rreth $10 milionë fond rezervë për emergjenca që mund të lindin.

Ky komponent është i vetmi i paketës, që është i duhuri, i qartë dhe direkt.

Garanci për hua të bizneseve

Qeveria do të japë garanci shtetërore, në vlerën rreth $100 milionë, për huatë që bizneset mund të marrin në banka për të paguar rrogat dhe pëballuar nevoja të tjera.

Duhet qartësuar se kjo linjë garancie nuk është fond parash, por një premtim nga qeveria ndaj bankave se nëse një biznes që përfiton kredi nën këtë mekanizëm nuk do ta shlyejë dot atë, do të jetë qeveria që do ta paguajë bankën.

Edhe pse kjo shumë llogaritet si borxh në llogaritë publike, qeveria nuk ka nevojë të heqë mënjanë apo të bllokojë $100 milionë. Ndaj llogaritja e tij si financim për krizën nga Kryeministri është keqinformim për propagandë.

Duhet vlerësuar që qeveria ka zgjedhur të mbështesë rritjen e likuiditet të bizneseve përmes huave dhe jo duke dhënë fonde falas për bizneset private, çfarë do të ishte barrë e rëndë për publikun dhe do të nxiste sjellje abuzive nga biznesi. Mekanizmi që ka adoptuar, garancia sovrane, është i paqartë nëse jep efektin e dëshiruar, pasi bankat mund të refuzojnë të japin hua, duke i lënë bizneset sërish pa likuidtet.

Një alternativë më e mirë do të ishte që Banka e Shqipërisë me fondet e saj të krijonte një linjë kreditimi në bankat tregtare dhe ta komandonte ajo procesin e huadhënies ndaj bizneseve, çfarë do të siguronte zbatimin e prioriteteve dhe politikave qeveritare në këtë process.

Mbështetja për bizneset e vogla

Qeveria ka caktuar $65 milionë mbështetje për përballimin e kostove të krizës tek bizneset e vogla, punonjësit dhe familjet e tyre që nuk do të marrin rrogat apo të ardhura.

Qeveria nuk ka qartësuar periudhën që do të mbulojë ky fond—informacionet indirekte pohojnë se është për një periudhë 3 mujore—sikurse nuk ka bërë të qartë si do të lëvrohet ky fond dhe kushtet që duhet të plotësojnë bizneset e individët që të përfitojnë.

Shqetësimi kryesor është se ky fond është i pamjaftueshëm.

Në Shqipëri ka rreth 65-80 mijë biznese me të ardhura më të vogla se 20 milionë lekë (rreth $20 mijë) në vit, nga të cilat janë mbyllur të paktën gjysma—këtu bëjnë pjesë shumcia dërrmuese e bareve dhe restorane të mbyllura.

Në total, janë rreth 120-130 mijë biznese të vogla me të ardhura vjetore më të vogla se 140 milionë lekë (afërsisht $140 mijë), të cilat janë të goditura të gjitha nga gjendja, disa më shumë e disa më pak.

Të gjithë këto biznese kanë nevojë për mbështetje—të paktën për rrogat apo të ardhurat personale të sipërmarrësve familjarë dhe të punësuarve të tyre.

Numri i personave që nuk po punojnë nga këto biznese vlerësohet në 80-100 mijë, ndërkohë që numri i punonjësve të punësuar në sektorin privat është rreth 500 mijë.

$65 milionë janë asgjë për këtë numër biznesesh dhe të punësuarit e tyre.

Për shembull, nëse do të shpërndahej i gjithë fondi tek personat që nuk shkojnë në punë, secilit do t’i binte të merrte rreth $650 në tre muaj ose rreth $217 për person në muaj, ose më pak se rroga minimale në Shqipëri.

Nëse me fondin do të paguheshin të gjithë bizneset e vogla, çdo njëri do të merrte mesatarisht rreth $520 në tre muaj ose rreth $173 në muaj.

Këto shifra hipotetike ilustruese tregojnë se mbështetja e ofruar nga qeveria është krejtësisht e pamjaftueshme dhe nuk do të japë asnjë rezultat të ndjeshëm.

Masat e tjera

Masat e tjera të qeverisë janë formale dhe pa asnjë ndikim në financat publike.

E para, është falja e kamatave të pagesës të energjisë dhe ujit. Është lehtësim për qytetarët, por efektet financiare në buxhet janë zero. Ndaj vlerësimi i kësaj mase si ‘financim’ $150 milionë nga Kryeminsitri është keqinformim i qëllimshëm. Kostoja e kësaj mase është thuajse zero në buxhetin e OSSHE-së dhe të ujësjellësave. Në buxhetin e shtetit është natyrisht po zero.

E dyta, është shtyrja për në gjysmën e dytë të vitit të pagesës së tatimit mbi fitimin e bizneseve më të vogla. Është prapë një masë që nuk do ketë asnjë efekt, pasi shumica e bizneseve të vogla do të luftojnë për të mbijetuar, dhe nuk bëhet fjalë për fitim. Efekti i saj në buxhet do të jetë gjithashtu zero.

E treta dhe më qesharakja, është përgjysmimi i rrogave të ministrave dhe deputetëve. Në vend të këtij xhesti simbolik, qeveria mund të kishte zgjedhur të shkurtonte shumë shpenzime qeveritare. Madje qeveria duhej të rishikonte buxhetin pasi qindra milionë shpenzime të planifikaura më parë tashmë ose nuk janë më të mundshëm në kushtet e krizës ose nuk janë më prioritare.

Një rishikim i tillë do të lironte fonde të konsiderueshme që mund të shkojnë direkt në mbështetje të njerëzve të prekur për të nxitur konsumin e tyre dhe indirekt nxitur ekonominë.

Përfundim

Duke e zhveshur nga propaganda, qeveria ka caktuar vetëm rreth $120 milionë për krizën e koronavirusit. Nga këto vetëm $65 milionë janë për biznesin, ose afërsisht 1,6 përqind e buxhetit. SHBA-të miratuan para disa ditësh një paketë ekonomike afërsisht sa 13 për qind e buxhetit.

Prandaj është e arsyeshme të mendohet se kjo paketë, minimum i minimumve, nuk do të ketë asnjë efket në ekonomi dhe në lehtësimin e vështirësive të njerëzve.

Sikurse kam argumentuar shkurtimisht më parë, vetëm një program i transferimit direkt të parave falas nga qeveria tek qytetarët në një masë të krahasueshme me një rrogë normale mujore do të ishte masë efikase sociale dhe ekonomike.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme