Ndihmat ekonomike që kanë ofruar Amerika, Italia dhe Franca

Nga Exit News
Ndihmat ekonomike që kanë ofruar Amerika, Italia dhe Franca

Ekonomitë e dobësuara nga masat e marra kundër koronavirusit, po stimulohen në mënyra të ndryshme nga shtetet e prekura. Bizneset po ndjejnë dëmin ekonomik që ka shkaktuar distancimi social, që nuk dihet edhe sa kohë duhet të zgjasë.

Fonde dhe stimuj financiarë, të miratuara gjatë ditëve të fundit nga shtete të ndryshme, ndihmojnë kryesisht njerëzit dhe bizneset e vogla e të mesme me para dhe anullime taksash.

Në SHBA, ku Covid-19 është konfirmuar në të 50 shtetet, Trump i sugjeroi Senatit të hënën një paketë prej 1 trilion dollarësh.

Gjysma (500 miliard dollarë) do t’i shpërndahet qytetarëve amerikanë në dy raunde pagesash, në varësi nga të ardhurat dhe numri i antarëve të familjeve.  300 miliardë dollarë do t’i jepen biznesit të vogël si kredi, me kusht që t’i mbajnë dhe paguajnë punonjësit për të paktën dy muaj të tjerë. Paketa zgjat lejet e paguara për të sëmurët dhe shtyn pagesën e taksave për tre muaj.

Më herët, Trump dha 8,3 miliardë dollarë për të financuar qeveritë shtetërore dhe vendore kundër përhapjes së virusit. Ky fond do të përdoret edhe për kërkime për gjetjen e një vaksine.

Amerika po përballet me mungesa në furnizime mjekësore. Për këtë, Trump firmosi një ligj që detyron industrinë amerikane të prodhojë pajisje të nevojshme për sigurinë kombëtare, nëse i kërkohet një gjë e tillë.

Në Itali qeveria caktoi 25 miliardë euro për të “shëruar Italinë” dhe propozoi një referendum për uljen e numrit të deputetëve deri në vjeshtë.

Mbi 10 miliard dollarë do të shkojnë për ata që rrezikojnë të humbasin punën. 600€ do paguhen kategoritë “e dobëta”, si të vetëpunësuarit dhe ata me punë të pasigurtë. Ata që shkojnë në punë do të marrin nga 100 euro dhe çdo shkarkim nga puna i ndodhur pas 23 Shkurtit do të pezullohet. Pushimi prindëror do të zgjatet dhe familjet do të marrin fonde për të paguar kujdestaret e fëmijëve të tyre.

Dekreti, që hyri në fuqi të mërkurën, pezullon të gjitha taksat (TVSH, tatimin mbi të ardhurat, etj.) për dy muajt e fundit dhe zgjat afatin për taksat e mbartura deri në fund të Majit. Pagesat e huave dhe kredive janë ngrirë në të gjithë Italinë.

Në Francë, 50 miliardë dollarë (45 miliardë euro) shkojnë për punonjësit, mikro-ndërmarrjet dhe NVM-të, pasi Macron deklaroi: “Jemi në luftë!”

Paketa do të lejojë shtyrjen e të gjitha taksave dhe tatimeve që kompanitë kishin detyrim këtë muaj, si dhe anullimin e tyre të plotë për firmat në rrezik falimentimi.

300 miliardë euro të tjera qeveria franceze do i japë si kredi bankare veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme