Parlamenti Kosovës i heq Thaçit autoritetin për negociata me Serbinë, njeh vetëm qeverinë

Nga Bledar Qalliu
Parlamenti Kosovës i heq Thaçit autoritetin për negociata me Serbinë, njeh vetëm qeverinë

Në një seancë të jashtëzakonshme mes krizës së koronavirusit, parlamenti i Kosovës vendosi të mandatojë qeverinë Kurti si autoritetin e vetëm për të zhvilluar negociata me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Vendimi u bë publik nga Kryetarja e Parlamentit Vjosa Osmani në Twitter: “Kushtetuta jonë ishte tashmë e qartë – dhe tani ky është [edhe] vullneti politik i Parlamentit të Kosovës nga votimi i mbrëmshëm. Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës. Askush nuk mund të negociojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin e saj kushtetues.”

Ky vendim është një goditje e hapur për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili përgjatë dekadës së fundit praktikisht ka udhëhequr të gjitha negociatat me Serbinë, ndërsa koalicionet e udhëhequra nga partia e tij kanë pasur shumicën në parlament.

Thaçi ka marrë kritika në të shkuarën se po përpiqej për një marrëveshje me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, që përfshinte shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve.

Detajet e një marrëveshjeje të tillë të supozuar nuk janë bërë kurrë publike, dhe pak dihet për përmbajtjen e diskutimeve mes palëve.

Thaçi i ka zhvilluar negociatat në plan personal, duke përjashtuar parlamentin, qeverinë dhe institucionet e tjera nga thuajse çdo përfshirje apo informacion mbi këtë çështje.

Ai është kritikuar ashpër për këtë qasje dhe është akuzuar se e ka takuar Vuçiçin në fshehtësi disa herë.

Pas zgjedhjeve të tetorit të kaluar, të cilat koalicioni i partisë së Thaçit i humbi, kryeministri Kurti ka marrë në dorë çështjen e negociatave me Serbinë. Kurti, i cili është kundër çfarëdo shkëmbimi territoresh, madje e akuzoi Thaçin se tashmë kishte arritur një marrëveshje të fshehtë me Vuçiçin.

Megjithë ndryshimin e pushtetit dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2019 që përcaktonte se vetëm qeveria mund të kryejë negociata me Serbinë, Thaçi nuk u tërhoq nga roli i tij dhe vazhdoi të diskutojë dhe të arrijë marrëveshje me Vuçiçin, duke injoruar Qeverinë Kurti dhe parlamentin e ri.

Dy javë më parë, Thaçi u takua me Vuçiçin në Shtëpinë e Bardhë, në bisedime të koordinuara nga Richard Grenell, i dërguari special i Presidentit Trump për një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Grenell është përplasur me Kurtin në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe, të vendosur nga paraardhësi i Kurtit, Ramush Haradinaj, në nëntor 2018.

Kurti ka propozuar dy faza për heqjen e tarifave gjatë një periudhe njëmujore, me kushtin që ndërkohë Serbia të ndërpresë fushatën e mosnjohjes së Kosovës. Por Grenelli e kundërshtoi këtë plan të Kurtit dhe bëri presion për heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha tarifave, në mënyrë që të hapet rruga për rinisjen e negociatave.

Përballë pozicionit të palëkundur të Kurtit, Grenelli donte të përcillte idenë se administrata amerikane do të punojë me Thaçin për këtë çështje, nëse Kurti nuk tërhiqet.

Por pas vendimin më të fundit të Parlamentit të Kosovës, Thaçi duket se mbetet pa kurrfarë pushteti zyrtar për t’u vetëpërfshirë në çfarëdo cilësie në dialogun Kosovë-Serbi.

1 koment

  1. Kosovari 16 Mars, 2020 në 4:41 pm

    PERSHENDETJE. NUK PO MUJ ME MARR ME END QYSH MBI KUSHTETUTEN PARLAMENTI ME
    VE LIGJE MBI LIGJE KUR KUSHTETUTA ESHTE AKTI ME I LART PRA ESHTEIGJI MBI LIGJ VET I SHTET IT. E. NE KETE LIGJ MBI LIGJ NE KUSHTETUTA SHUM MIR NE MENYR DECIDIVE TREGOHET ROLI I PRESIDENTIT TE SHTET IT. PIKA E 8 MDUKET
    THOT PER BISEDIMET NDERKO. BETARE PRIN PRESIDENT. PRA NE MARRVESHJE ME KRYEMINISTRI. A SA I PERKET KRYEMINISTRIT AJ ESHTE KRYETAR I QEVERIS KOMMANDANT I POLICIS I PSH.
    KA ROL NE DHE JE EMERGJENCE ÖSE VENDIM SHKARKIM DREJTORIVE. KURSESI NGA KUSHTETUTA NUK I JEPET DREJT PER BISEDIME NDERKOMBETARE. PRA NE BAS MEJE VJOSA OSMANI KA SHKEL KUSHTETUTEN. DHASHT ZOTI NDONJEHER DO TE VETDISOHEMI. KLM

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme