Dje, një grup aktivistësh e artistësh anonimë, të njohur si Çeta, kanë vizatuar nëpër Tiranë portretin e Kryeministrit Rama shoqëruar me akronimin e Partneriteteve Publike Private, PPP. Çeta zgjodhi datën 29 nëntor, festën e çlirimit, për të protestuar kundër sundimit dhe pushtimit që Edi Rama, me anë të PPP-ve, po i bën pasurisë publike.
Aksionin e ditës së djeshme Çeta e ka quajtur “RiLuce-fasada e rilindur e fashizmit”. Në deklaratën e tyre, ndër të tjera, shkruhet:
Fashizmi […] është bashkimi i të gjitha forcave sunduese në shoqëri rreth figurës së udhëheqësit suprem. Pra, borgjezët, bankierët, burokratët, gjykatësit, klerikët, mediat, policët dhe gangsterët bëhen bashkë rreth Duçes, të cilit i shërbejnë, i cili u shërben, në kurriz të shtresave të mëdha sociale, përmes dhunës dhe shfrytëzimit. Kjo është historia e fashizmit. E të vjetrit dhe të riut. Sepse fashizmi, si çdo histori, thuhet se përsëritet, herën e parë si tragjedi, të dytën si farsë. Por këtu, tek ne, në Shqipëri, fashizmi është ulur këmbëkryq tjetërsoj, si një farsë tragjike. Si fashizëm i pashpallur.
Partneriteti Publik Privat, ose privatja përmbi publiken, është martesa e re e shtetit me biznesin, ku i pari bëhet vegël në dorë dhe në dobi të se dytit. Të drejtat janë dhënë me koncesion. Paraja është bëre zemra dhe arsyeja e çdo marrëdhënieje. Politika është bëre policore dhe policia robotike. Shenjtërohet prona e madhe private duke ç’shenjtëruar deri në mallkim jetën e vogël njerëzore.
Çeta përmend në deklaratën e saj disa nga ngjarjet e fundit që kanë prekur opinionin publik, si vrasja e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, luftën e Bashkisë Tiranë ndaj shitësve ambulantë, largimin e komunitetit rom nga banesat e tyre apo hedhjen e salcës së domates mbi ministren Nikolla si shenjë proteste kundër reformës në arsim.
Për shumëkënd, ky realitet mund të duket distopik, një e keqe e pamundur, një ëndërr e trishtë prej të cilës duhet të zgjohemi, por në fakt është realiteti vetë, përtej flluskave roze të rehatisë dhe arsyetimeve të cekëta.
Prandaj, koha është të zgjohemi, të mbajmë anë.
Grupi i artistëve dhe aktivistëve, në fillim të nëntorit, vizatuan kudo në Tiranë- në dyert e Bashkisë, në instalacionin Reja, në parkun e lojërave tek Liqeni Artificial apo dhe në mure e kabina elektrike – portretin e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj.
Po ashtu, Çeta protestoi sërish me artin e saj në maj, kur kryebashkiaku Veliaj kishte nisur fushatën për largimin e shitësve ambulantë nga rruga dhe sekuestronte mallin e kujtdo që nga varfëria dhe papunësia kishte dalë të shiste në rrugë.