Dy ditë më parë, Exit.al botoi një opinion lidhur me lyerjen me gëlqere të lapidarëve (monumenteve të periudhës komuniste), si mënyra e vetme e “restaurimit” të lapidarëve nga qeveria aktuale.
Deri kohët e fundit, procedurat e sakta të restaurimit të këtyre monumenteve, që nuk janë të mbrojtura nga ligji për trashëgiminë kulturore, mbetën të panjohura. Por dje, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi postoi në Facebook një video ku tregohet se si ministria e tij po restauron lapidarët.
Filmimi tregon një grup “aktivistësh”, me punonjës të Mministrisë dhe Ecovolisit, “duke pastruar” një lapidar në Tiranë, gjatë një “aksioni vullnetar”.
Bëhet fjalë për Lapidarin e Artilerisë në përkujtim të veprimeve ushtarake të forcave të artilerisë gjatë çlirimit të Tiranës. Lapidari ndodhet në një kodër me pamje nga Tirana. Ai u ndërtua në vitin 1968, sipas projektit të arkitektit R. Kote dhe skulptorëve Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami e Shaban Hadëri, autorë, gjithashtu, të statujës së Nënës Shqipëri në Varrezat e Dëshmorëve dhe Monumentit të Pavarësisë në Vlorë.
Po të marrim parasysh tartistë të cilët krijuan këtë vepër, ajo mund të konsiderohet me rëndësi të veçantë kulturore.
Megjithatë, në video është e qartë se si “aktivistët”, pa ndonjë përgatitje paraprak në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në teknikat e restaurimit, apo në njohuri historike, “pastrojnë” mbishkrimet (grafitet) nga lapidari me një pajisje zmeriluese.
Kjo është njësoj si të heqësh nga trupi një tatuazh me gjithë lëkurë, pra e dëmton në mënyrë të pariparueshme objektin.
Një prezantim i shkurtër i Shërbimit të Parkut Kombëtar të SHBA-së për “heqjen e mbishkimeve nga mermeri”, në mënyrë të qartë thekson se:
“Zmerilimi mekanik apo bluarja […] do të shkaktojë dëme në mur dhe në shumicën e rasteve, nuk duhet të përdoret si mënyrë për heqjen e mbishkimeve nga muret historike. Metodat gërryese të përdorura gabimisht nga punëtorët e patrajnuar për të hequr mbishkimet zakonisht rezultojnë të jenë gërvishtje të përhershme mbi mur.”
Më tej manuali sugjeron se “pjesa më e madhe e mbishkrimeve mund të hiqet pa e dëmtuar murin, me produkte specifike që përmbajnë tretës organikë për heqjen e bojës së mbishkimeve.”
Një tjetër mënyrë “restaurimi” e grupit të aktivistëve ishte suvatimi i anëve të bazamentit të monumentit. Me të vërtet anët e bazamentit janë dëmtuar gjatë viteve 1990-të, jo për shkak të kushteve atmosferike, por për shkak të largimit me forcë të baso-relievit prej bronzi, i krijuar po nga Rama, Hadëri e Dhrami. Suvatimi i bazamentit të lapidarit është një tjetër mënyrë amatoreske restaurimi që nuk merr parasysh historinë komplekse të lapidarit, por thjesht “e bën atë të duket mirë deri diku”.
Këto veprime, mbështetur nga qeveria shqiptare, janë një tjetër dëshmi që tregojnë mungesën e njohjes dhe profesionalizmit në trajtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe monumentale.