Një bunker fallco
Më 19 nëntor, Kryeministri Rama, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe sipërmarrësi i medias Shqiptarja.com Carlo Bollino përuruan Bunk’Art 2, një hapësirë për të ekspozuar, e menaxhuar nga Zoti Bollino.
Sipas Kryeministrit Rama, Bunk’Art 2 është “hyrja në të parin memorial, deri më sot i konceptuar dhe i ngritur me themelet, me zemër dhe me sy ndaj viktimave të terrorit komunist.” Ky është një pohim i çuditshëm sepse në Muzeun Kombëtarë ekziston një pavion i dedikuar “terrorit komunist”.
Gjithashtu, sikurse mund ta ketë vënë re edhe vetë kryeministri, përballë zyrës së tij gjendet një monument dhe një bunker: përmendorja “PostBllok” e Ardian Isufit dhe Fatos Lubonjës.
Në Shkodër ndodhet “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, një tjetër muze i ngritur për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist.
Ndaj, mund të themi me siguri se Bunk’Art 2 është përmendorja e katërt e këtij lloji, por në shumë aspekte më pak e suksesshmja.
Teksa i afrohem bunkerit të rremë, dëgjoj thirrjen e hoxhës. Në të djathtë, Carlo Bollino ka vendosur një kullë vrojtimi të rrethuar me tela me gjemba, sigurisht dhe kjo e rreme, e cila funksionon si reklamë për një kupolë më të madhe të ndodhur pranë saj.
Mospërputhja e përmasave e bën të gjithë instalacionin të duket absurd; absurdi dhe mungesa e përputhshmërisë logjike do të vazhdojnë dhe brenda.
Kupola hyrëse e bunkerit është e mbushur me fotografi të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në brendësi të saj. Insatalacioni është ide e vjedhur pa shije nga Muzeu i Holokaustit Yad Vashem. Një kopje e keqe e bunkerit komunist i mbushur me një kopje të keqe të instalacionit përkujtimor për viktimat hebreje. Një fillim i mbarë.
Disa qytetarë, të cilët po qëndronin para meje në radhë, nuk pranuan të hynin kur morën vesh se bileta kushtonte 500 lekë. Por në katin e poshtëm, kur hyra brenda, mësova se hyrja është falas për të persekutuarit nga regjimi komunist. “A duhet të paraqes ndonjë vërtetim për këtë?” pyeti një zotëri i moshuar vajzën pas banakut. “Nëse keni qenë i persekutuar, mund të hyni,” iu përgjigjë vajza. Zotëria vazhdoi.
Si për fillim, dy gabime të dhimbshme
Mbi banak është një citim i Primo Levit: “Të gjithë ata që harrojnë të shkuarën e tyre, janë të dënuar ta rijetojnë atë”. Kryeministri Rama në disa raste të ndryshme e ka përdorur këtë shprehje në publik. Madje e ka përdorur edhe si titull në fjalimin përurures të tij, në të cilin me arrogancë i kërkoi kritikëve të tij të “qepnin gojën”. Fatkeqësisht për Ramën dhe për të ashtuquajturin intelekt të tij, Primo Levi nuk e ka thënë kurrë një gjë të tillë. Ky citim është i George Santayanas në veprën Jeta e Arsyetimit (The Life of Reason). Citimi i saktë është “Ato të cilët nuk mund të kujtojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë,” shprehja ka shumë perifrazime të ndryshme (sepse është një klishe). Për shembull, ajo gjendet e gdhendur dhe korrektësisht e përcaktuar, mbi një stemë në Aushviç (Auschwitz).
Por, ky nuk është i vetmi gabim i dukshëm. Një shënim përgjatë banakut më njofton se ndodhem në “ ish – bunkerin atomik të Ministrisë së Punëve të Brendshme.” Gjithashtu edhe kjo është e pasaktë.
Pavarësisht se struktura mund t’i këtë mbijetuar sulmeve të artilerisë, ajo nuk do të mundej të përballonte një sulm atomik, dhe në fakt, asnjëherë nuk u ndërtua me këtë qëllim. Sidoqoftë, cfarëdo që i bënë turistët e lumtur!
Por këto dy gafa gjigante në hyrje, të bëjnë të mendosh: cfarë gabimesh të tjera janë bërë?
Kontraditat logjike si estetikë
Si fillim, ekspozita nis, në mënyrë të pashpjegueshme, me një sqarim të gjatë për origjinën e policisë shqiptare të vitit 1913. Më informojnë po ashtu, për policinë rrugore dhe zjarrëfikësit. Një armatim i policisë për protesta (skafadra) ishte varur në mur, dhuruar nga italianët në vitin 1989. Asnjë nuk ka lidhje me “terrorin komunist”.
Shumica e dhomave, pavarësisht nga shenjat emërtuese, të cilat sugjeronin një farë lidhje logjike, janë në fakt një kolazh historik shpesh i objekteve të palidhura me njëra-tjetrën.
Për shembull, 1) një dhomë përmban informacion për Laboratorin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore nga viti 1946 deri në vitin 2000 (përse 2000???); 2) një video ku shfaqen kryengritjet e studentëve në vitin 1990, me një logo të madhe të Bunk’Art 2 në të majtë të videos; 3) në një mur janë vënë disa pajisje radiofonike, shoqëruar me një manual kinez (?). Në një dhomë tjetër, me derën pakëz të hapur, dëgjohet një burrë i cili rrëfehet me pëshpëritje, një krevat marinari, tavolinë dhe një hartë ruse të Berlinit. Ku jam unë?
Kryeministri Rama pohoi se ne do të duhet të kujtojmë me “mendje, zemër dhe sy”, por ka harruar veshët. Fonia brenda bunkerit është një kakofoni gati e padurueshme.
Përveç dokumentarëve të ndryshme që luhen në dhomat ngjitur (të githa me dyer të hapura), aty ka regjistrime të emrave të viktimave nën një sfond zhurmash kërcënuese, himni kombëtar, sirena policie, rrahje zemre, njoftime në radio dhe muzikë sentimentale nga të gjitha anët. Ndëkohë nga çdo anë, informohem për “një eksperiencë më të zgjeruar të realitetit” e mundësuar përmes aplikacionit falas të Bunk’Art, i cili së bashku me materialet e tjera të paraqitura, me siguri duhet të më drithërojë.
Tingujt çorientues dhe organizimi kaotik i hapësirës dhe kohës bën që epoka të ndryshme – fashiste, komuniste, pluraliste – të cilat duket se përzihen në një “supë” të madhe historike, deri në pikën ku ndërhyrjeve të caktuar duket se i mungon çdo formë arsyetimi. Për shembull, çfarë kuptimi ka tubi i zjarrfikësve që del nga tavani? Dhe çfarë do të thotë “trupi liruar nga vdekja…”??
Gjithsesi, ajo që është koherente në gjithë ekspozitën është “brendimi”i çdo gjëje që ndodhet aty. Çdo shfaqje, dokumentarë, madje edhe shënimi se “Armët e paraqitura në këtë dhomë janë çaktivizuar dhe shndërruar në një objekt muze”, apo tabela “STOP SMOKING” kanë logon Bunk’Art2.
Ndërhyrjet artistike
Natyrisht këtu ka hapësirë edhe për art “bashkëkohor”, si pjesë e eksperiencës së Bollinos për ta kthyer në të shkuarën në një Disney-park.
Raimonda Zajmi Avignon ka bërë një “instalacion artistik” me titull “përbindëshi i diktaturës.” E pranoj se si skulpturë, kjo sigurisht ia kalon edhe veprës së fundit të Edi Ramës. Por në gjithë këtë hapësirë vepra e Rajmondës duket si një grumbull fëminor metalesh dhe mbeturinash. Teksti në mur më informon se përbindëshat përdorin median si perde tymi për krimet e tyre. Ndoshta një nga fjalitë e pakta të vërteta në gjithë këtë ekspozitë.
Instalacioni artistik “Miqësia”, bërë nga Yllka Gjollesha dhe Rubin Beqo, është i mbyllur, ose ndoshta unë thjesht nuk munda ta gjej, ta shikoj apo ta dëgjoj. Teksti në mur flet për “një mikun tonë kinez”, i cili “mund të na ndihmojë për të hedhur dritë mbi këto pllaka gramafoni me muzikë”. Rubin, nëse e lexon këtë, më telefono!
Për më shumë, ka dhe një video të punuar nga Driant Zeneli. Edhe pse është vepra më e mirë, është plotësisht e palidhur me çdo gjë tjetër e deri diku skandaloze në mënyrën se si poezia mundohet të jetësohet në mes të “terrorit të komunizmit”.
Në fund, instalacioni i Ledia Kostandinit, “Incube”, është zhgënjyes, me drita jo aq verbuese në një dhomë boshe. As “halucinacione” dhe as “mjedis surreal” nuk shkaktohen nga kjo punë, megjithëse kur pashë veprën e Kostandinit i kisha përjetuar të dyja.
Mungesa e interpretimit
Nuk ka absolutisht asgjë në Bunk’Art2, e cila të më shpjegojë rëndësinë apo domethënien e objekteve, fotografive, zërave, zhurmave apo punëve të artit që pashë. Kjo është çështja kryesore dhe më problematike me ekspozitën. Sigurisht, asnjë kurator me merita nuk është përfshirë në asnjë pjesë të këtij projekti.
Të gjitha tekstet janë vetëm përshkruese dhe nuk ka në asnjë moment të vetëm kur dikush (kurator apo dikush tjetër) të ofrojë një interpretim. Dhe kjo mungesë interpretimi nuk është asgjë me shumë se shenjë e mungesës së mendimit.
Askush nga personat e përfshirë në këtë projekt, përfshirë politikanë dhe miqtë e tyre të medias, nuk ka mundur të nxjerrë një mendim, opinion apo kujtesë të vetme për diktaturën. Ata e kanë fshehur veten pas një mirazhi me objekte dhe emra, mbuluar me zhurma që parandalojnë vizitorët të dëgjojnë zërin e tyre të brendshëm: “Këtu asgjë nuk ka kuptim.”
Bunk’Art 2 e bënë të shkuarën komuniste të pakuptueshme sepse asnjë nuk do të guxojë të bëjë asnjë pyetje kritike – asnjë nuk do të di nga t’ia nisi.
Bunk’Art 2 është i hapur çdo ditë në orën 10:00 – 19:00
Falenderoj Gentian Shkurtin për evidentimi e ngjashmërisë së hyrjes së Bunk’Art 2 me atë të Muzeut të Holokaustit në Izrael (Yad Vashem).