“Keq ta bësh, keq mos ta bësh” – Një udhëtim me autobuz nëpër Tiranë

Nga Nina Ružička
“Keq ta bësh, keq mos ta bësh” – Një udhëtim me autobuz nëpër Tiranë

Qyteti në të cilin jetoj është vazhdimisht nën trysninë e shoferëve të nxehur të ngecur në trafik. Herën e fundit, mu deshën rreth dy orë për gjashtë kilometra ndaj vendosa të mos e përjetoj më të njëjtën bezdi. Mendova se një shofer autobuzi i aftë do të më lehtësonte jetën e përditshme.

Ndaj e lashë makinën në shtëpi dhe vendosa të shkoj në punë me transport publik. Bicikletën nuk di ta ngas. E vetmja zgjidhje, për të udhëtuar nga Liqeni Artificial deri në Vorë, më mbeti autobuzi, i cili kalon afër shtëpisë sime.

Por pritshmëritë e mia u thërmuan që në udhëtimin tim të parë. Të lëvizje me autobus nëpër Tiranë, nuk ishte ashtu sikurse e kisha menduar. Ai ishte i ngadaltë, mbytës, kaotik dhe të hante kohë.

Pasi prita në stacion për më shumë se 15 minuta, më në fund autobuzi erdhi. Sapo hyra, ndjeva turmën të më shtynte , menjëherë e kuptova se ky nuk do të ishte një udhëtim i lehtë.

Brenda në autobuz ishin rreth 40 persona të paketuar në një “kuti blu”, e cila nuk mund të mbante më shumë se 25 persona. Autobuzi ishte aq plot sa mezi merrje frymë.

Fatkeqësisht, edhe në autobus njësoj ngecje në trafik. Nga dritarja e asaj kutie të vogël shihja kalimtarët që ecnin në rrugë, befas fillonte t’i zilepsja për lirinë dhe fatin e tyre të mirë.

Autobuzi ndalonte kudo sipas dëshirës së pasagjerëve. Gjatë gjithë rrugës nuk pashë një stacion autobuzi. Por, më në fund pasi qëndrova 15 minuta në këmbë në autobuzin e tejmbushur, arrita në qendër.

Në qendër më duhet të ndryshoja linjë autobuzi për të arritur në destinacion. Për shkak të ndërtimit të sheshit të ri “Skerderbej”, stacioni i autobuzit kishte ndryshuar. Pyeta disa kalimtarë dhe më në fund pas 10 minutash, e gjeta stacionin e përkohëshëm të autobuzave.

Prita sërish 10 minuta të tjera brenda në autobuz, derisa pas shumë ankesave të pasagjerëve shoferi vendosi të nisej. Nuk kishte asnjë hartë me ndalesat e atubuzit, apo ndonjë tabele me oraret e nisjet dhe të mbërritjes, asgjë. Dritaret e autobuzit, për shkak të një defekti, qëndronin të hapura dhe ajri i ftohtë i nëntorit të ngrinte fytyrën. Ajri i kondicionuar nuk ekzistonte, ishte një fjalë e ndalur dhe një çudi e madhe.

Gati, gati ndjeva mall për autobuzin e parë, i cili të paktën ishte i ngrohtë. Ndryshe nga autobuzi i parë, njerëzit dukeshin të nevrikosur. Faturino të merrte paratë por nuk jepte një biletë të vlefshme. Problemet me sistemin e biletarisë ende nuk ishin zgjidhur nga bashkia.

Gjatë rrugës pashë se si pasagjerët grindeshin me shoferin dhe me njëri- tjetrin për ndalesat e pajustifikuara, për mungesën e biletave, apo për zërin e lartë, shtyrjen, etj. Mezi prita derisa arrita në destinacion. I gjthë udhëtimi nga qendra e Tiranës për në Vorë zgjati 45 minuta. Ndihesha e lodhur dhe e bezdisur. Humba të gjithë paraditen në autobuz.

Në fund, e kuptova pse qytetarët e Tiranës kanë një stigmë kundër autobuzit. Tani i besojë edhe miqve të mi të cilët më paralajmëruan. Të gjitha fjalët e tyre si “Je çmendur, nuk e ke seriozisht”, apo “ Do shpenzosh gjithë kohën në autobus” ishin të vërteta.

Me pak fjalë, të lëvizësh nëpër qytet është bërë njësoj si të endesh në Purgator: keq nëse përdor makinën, keq nëse mbështesh në një transport publik jo efikas.

***

Është e pabesueshme se si autoritetet vendore kanë dështuar në vazhdimësi në përmirësimin e transportit publik në Tiranë. Do të mjaftonin vetëm disa investime të vogla si vendosja e korsive të dedikuara, harta, orare dhe një sistem ajrimi.

Në ndryshim nga vendet e tjera në botë, ku transporti publik është i kushtëzuar nga zgjerimi i qytetit dhe aftësia për të lehtësuar lëvizjen në zonat periferikë, në Tiranë kjo nuk gjen zbatim edhe në raste kur linjat e autobuzit ekzistojnë.

Transporti publik është një nga mënyrat më efektive të lëvizjes urbane. Ai rrit hapësirat në rrugë, rrit të ardhurat për bashkitë, ul ndotjen e ajrit.

Një sistem i mirë i transportit publik, në afatgjatë, ul pabarazinë dhe krijimin e zonave të varfra. Ai i jep qytetarëve, në veçanti atyre më të ardhura të pakta, më shumë akses në shëndetësi, arsim, punësim dhe argëtim.

Qytetarët fajësojnë sistemin e tanishëm, privatizimin e linjave të autobuzave nga privatët. Por, kjo situatë ka qënë e njëjtë edhe në rastin kur ato kanë qënë në pronësi të shtetit.

Rishtas, kompanitë private rritën çmimin e biletës me 33 për qind. Shumë qytetarë protestuan kundër këtij vendimi të Bashkisë, i cili është institucioni përgjegjës për monitorimin dhe miratimin e ndryshimit të çmimit të biletës.

Kryetari i Bashkisë, i cili u përpoq të qetësonte qytetarët, tha se çmimi i ri është i nevojshëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Ai premtoi autobuza të pastër, të shpejtë dhe respektimin e orareve.

Gjithashtu, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se mekanizamt e ndëshkimit dhe monitorimit do të forcohen. Zoti Veliaj u zotua se do t’i kontrollonte vetë ato.

Por, 10 muaj pas premtimit të kryebashkiakut, transporti publik në Tiranë është njësoj si më parë: i ngadaltë, i parehatshëm, i pabesueshëm. Me vetëm një ndryshim: tani është më i shtrenjtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>