Kanali televiziv Top Channel raporton se që prej datës 12 nëntor, qeveria greke ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë një dosje kriminale prej 10 mijë faqe kundër Klement Balilit.
Kjo është hera e dytë që autoritete greke dërgojnë një dosje me dëshmi dhe fakte për vrasje, trafik drogë dhe njerëzish për Zotin Balili pranë ministrisë tonë. Dosja e parë nuk u dërgua në Prokurori sepse Ministria e Drejtësisë nuk gjeti dot një përkthyes të gjuhës greke.
Këtë herë grekët e kanë përkthyer vetë dosjen në gjuhën shqipe për të shmangur çdo lloj vonese për dërgimin e saj në prokurori.
Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë i pohuan Top Channel se dosja “Balili” do t’i dorëzohet prokurorisë shqiptare paraditen e së mërkurës.
Kelmend Balili u arratis nga Shqipëria në maj 2016, pasi policia greke lëshoi një urdhër arresti për të, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.
Zoti Balili prej më shumë se një viti u hetua nga policia greke, në bashkëpunim me shërbimet antidrogë amerikane dhe policinë shqiptare. Ai akuzohet për krijimin e një organizate kriminale e cila trafikonte drogë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
Gjatë periudhës 2014-2016, policia greke, britanike dhe bullgare kanë sekuestruar rreth 2,4 ton marijuanë dhe 23 kilogramë kokainë të trafikuara nga organizata e drejtuar nga ai.