Deputeti dhe njëri prej themeluesve të lëvizjes LIBRA Ben Blushi akuzoi sot Qeverinë Rama se ka rritur borxhin publik që rëndon në xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Sipas Blushit, në tre vjet qeverisje, qeveria ka rritur borxhin publik me afro 1,5 miliardë euro dhe nuk ka bërë transparente se ku janë investuar këto para.
Në profilin e tij në Facebook, deputeti Blushi shkruan:
Deri më sot asnjeherë nuk është bërë e ditur, se ku kanë shkuar afro 1 miliard e gjysëm euro që janë marrë hua.
Kryesisht janë kthyer në zyra, mobilje, tapiceri, pllaka,fasada, stadiume,pishina, kulla dhe luks primitiv. Me para borxh blejmë manikyrin para sapunit.
Secili prej nesh sot paguan me shumë borxh se tre vjet më parë. Nëse ne vitin 2013 çdo shqiptar e kishte pjesën e vet të borxhit 2148 euro, sot e ka 2630 euro. Në tre vjet secilit i është rritur borxhi me 482 euro.
Edhe një femijë që lind sot duhet të paguajë 482 euro për manikyrin e Rilindjes!