Kryeministri i Italisë Matteo Renzi dha dje mbasdite zyrtarisht dorëheqjen, tre ditë pas humbjes së referendumit kushtetues. Dorëheqja e Renzit i dha fund qeverisë së 63-të italiane në 70 vjet.
Matteo Renzi dha dorëheqjen menjeherë pas daljes së rezultatit të referendumit, ditën e hënë. Por presidenti Mattarella nuk e pranoi atë dhe kërkoi qëndrimin e Renzit deri në miratimin e buxhetit për vitin 2017. Buxheti u miratua në seancën parlamentare të së mërkurës. Presidenti Mattarella pranoi dorëheqjen e dytë të Renzit.
Sot presidenti do të fillojë konsultimet me liderët e partive politike për të vendosur nëse do të formohet qeveri teknike apo do të mbahen zgjedhje të parakohshme.
Media italiane shprehet se presidenti Mattarella nuk do të kërkojë zgjedhje të parakohshme pa u miratuar më parë ligji i ri zgjedhor. Ligji aktual zgjedhor për dhomën e deputetëve po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Italisë. Kjo e fundit ka lajmëruar se vendimi për kushtetueshmërinë e ligjit do të jepet më 24 janar.
Paqëndrueshmëria politike e kohëve të fundit ka tronditur tregjet dhe ka bllokuar disa prej bankave. Gjithsesi në një shtet si Italia, ku sistemi shumë partiak dhe ligjet elektorale e bëjnë të vështirë të ketë një shumicë të fortë, qeveria Renzi ka qenë një prej katër qeverive që ka qëndruar më gjatë se 1000 ditë.