Jonila Godole, drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në një intervistë për Deutsche Wellen, ka folur për hapjen e dosjeve të krimeve të komunizmit, një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit.
Ndër të tjera Zonja Godole tregoi dhe për aktivitetin e IDMC-së, “Ditët e Kujtesës”, që ka për qëllim të ballafaqojë të rinjtë, por jo vetëm, me të shkuarën komuniste.
Disa nga deklaratat kryesore të Zonjës Godole janë:
- “Ditët e Kujtesës” u iniciuan për të sjellë në qendër të vëmendjes së shoqërisë ballafaqimin me të shkuarën, për sa kohë mungon një ditë që të njihet dhe të pranohet nga të gjithë për krimet dhe pasojat e regjimit komunist.
- Synimi ynë ishte të ulnim me njëri-tjetrin ekspertë brenda dhe jashtë vendit që të shkëmbenin punën dhe përvojën e tyre në fushën e kujtesës për ta njohur publikun me zhvillimet më të fundit në debatin mbi kurrikulat shkollore; mbi hapjen e dosjeve, mbi projektet konkrete të grupeve të interesit etj.
- Përballja me përvojat e huaja tregoi sa pas jemi në këtë proces dhe sa të papërgatitur për të folur të njëjtën gjuhë me shoqëritë e vendeve lindore.
- Edhe pse janë ndërmarrë nisma pozitive për të rishkruar tekstet e historisë, mënyra si janë shkruar ato mbetet problematike. Çdo institucion përpiqet t’ia hedh fajin tjetrit, duke mos mbajtur në fund asnjëri përgjegjësi për cilësinë e teksteve me të cilat mësojnë të rinjtë shqiptarë.
- Në realitet kemi një rini që rritet pa kujtesë historike për diktaturën.
- Mbi të gjitha qeveritë nuk kanë qenë kurrë të interesuara për të hartuar politika të vërteta që do të kishin mbështetur zbardhjen e të shkuarës. Ky është dështimi ynë, dhe në fakt duhet të ishte detyrim që kemi ndaj brezit të ri.
- Debatet për dosjet janë pozitive dhe duhet të jenë të vazhdueshme, edhe pse për momentin kemi një situatë absurde: kur ekziston ligji për hapjen e tyre që prej 30 prillit 2015, por ende nuk është ngritur autoriteti përkatës për to.
- Ndarja me të shkuarën duhet të ishte bërë që në fillim, por edhe tani hapja e dosjeve përveçse do t’u jepte mundësi viktimave të njiheshin me dokumenta të rëndësishëm që ndryshuan rrjedhën e jetës së tyre, do të na tregonte të gjithëve si shoqëri se si funksiononte makineria e propagandës dhe terrorit e instaluar për afro pesëdhjetë vjet në Shqipëri.
- Është e vërtetë se dosjet janë përdorur dhe stërpërdorur nga të gjitha qeveritë deri tani pa u hapur në fund. Dhe pakkush ka shpresë se ato do të hapen para zgjedhjeve 2017.
- Nëse do kishte hapje të dosjeve që vitin tjetër duhej parashikuar që tani buxheti për autoritetin në vitin e ardhshëm, që akoma nuk është në rend të ditës.