Ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet që të japë ditën e enjte vendimin për kushtetueshmërinë e ligjit të vetingut, zyrtarë të qeverisë kanë bërë deklarata që hedhin hije dyshime mbi drejtësinë e zbatimit të tij.
Në seancën parlamentare të 15 dhjetorit, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati bëri disa komente për reformën në drejtësi, të cilat nuk janë të bazuara as në kushtetutë, e as në ligjin e vetingut.
“Reforma në drejtësi do të fillojë aty ku ka shkelje ligji,” u shpreh Ministri Bushati para deputetëve.
Deklarata e ministrit është e pasaktë. Sipas Kushtetutës, reforma në drejtësi fillon me verifikimin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA) dhe Komisionerët Publikë që më pas do të bëjnë verifikimin e pjesës tjetër të sistemit gjyqësor. Në fazën kalimtare kjo procedurë do të kryhet nga Presidenti, komisioni parlamentar i posaçëm me mbështetjen e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe nga vetë Parlamenti.
KPK dhe KA do të vazhdojnë më pas me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Çdo gjyqtar është i pafajshëm deri sa hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Apelimit (KA) bazuar në një vlerësim të plotë të figurës, pasurisë, dhe etikës profesionaletë të vendosi.
Pra, duhet të fillojë procesi i rivlerësimit, në mënyrë që të zbulohen“shkeljet e ligjit”. Ndaj “shkeljet e ligjit” nuk mund të vendosin dot rendin e procesit të rivlerësimit.
Është vendim i KPK-së dhe KA-së, e jo i qeverisë, përcaktimi i fillimit dhe i hapave të procesit të rivlerësimi të gjyqtarëve e prokurorëve.
Ashtu sikurse ka theksuar edhe Komisioni i Venecias në paragrafin 44 të opinionit miqësor për ligjin e vetingut, çcilido nga gjyqtarët dhe prokurorët e hetuar nga KPK dhe KA, ka të drejtë ka apelojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo do të thotë, se Gjykata Kushtetuese ka fuqinë të anulojë vendimet e KPK-së dhe KA-së. Ndaj mendohet se rivlerësimi i figurës duhet të fillojë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Nëse procesi i rivlerësimit bëhet sikurse u shpreh Ministri Bushati, dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese—të cilët nuk kanë kaluar në procesin e rivlerësimit—hedhin poshtë vendimet e KPK-së e KA-së, atëherë i gjithë synimi dhe qëllimi i ligjit të vetingut humbet.
Deklarata e ministrit Bushati vendos një precedent të rrezikshëm, sepse tregon tendencën e qeverisë për të ndikuar një proces që me çdo kusht duhet të jetë neutral, i pavarur dhe i paanshëm.
Arsyeja se përse opozita e dërgoi ligjin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ishte e qartë: frika se mos pushteti ekzekutiv, qeveria, mund të ndikonte dhe të kapte procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve.
Përjashtimi i ndikimit qeveritar në këtë proces është jetik për paanshmërinë e tij dhe në të mirë të interesit publik.
Opinioni i Komisionit të Venecias tashmë e ka sqaruar qartë se KPK dhe KA duhet të ketë autoritet të plotë mbi të gjithë procesin hetimor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.