Vrasja e ambasadorit rus, Rusia dhe Turqia deklarata për forcim të marrëdhënieve

Vrasja e ambasadorit rus, Rusia dhe Turqia deklarata për forcim të marrëdhënieve

Vrasja e diplomatit rus Andrey Karlov në Turqi, një ditë më parë, ka bërë që në shumë media, atentati të cilësohet si shkëndijë për një konflikt mes Rusisë e Turqisë.

Sipas deklaratave të policisë, vrasësi, Mevlut Mert Altintas, një 22 vjeçar ish-polic turk, përpara se të qëllonte mbi ambasadorin, ka bërtitur në arabisht “Zoti është i madh” dhe në turqisht “Mos harroni Aleppon, mos harroni Sirinë.”

Rusia ka ndihmuar aleatin e saj, presidentin e Sirisë Bashar al-Assad, për të bombarduar  pika të caktuara në Siri, që mendohen se janë pikat e qendrimit të terroristëve, një prej të cilave qytetin Aleppo.

Sipas Rusisë, avionët e tyre ushtarakë kanë bombarduar vetëm pikat strategjike dhe kanë respektuar ligjet, por të dhënat nga Observatori i të Drejtave të Njeriut, tregojnë se më shumë se 4 000 cilivë janë vrarë vetëm nga sulmet ruse, vitin e fundit në Siri.

Turqia, nga ana tjetër, është përfshirë në luftën në Siri, por jo në të njëjtën anë më Rusinë. Turqia është aleate e NATO-s dhe pjesë e luftës së udhëhequr nga SHBA kundër terroristëve në Siri e Irak. Turqia mbështet dhe disa grupë rebele që janë duke luftuar për të rrëzuar regjimin e presidentit Assad.

Pavarësisht këtyre, Turqia dhe Rusia kohët e fundit kishin filluar të forconin marrëdhëniet mes tyre. Dy presidentët Erdogan dhe Putin, u takuan në gusht 2016 për të diskutuar për projekte mes dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe energjisë.

Ndaj në shumë media u përfol se atentati ndaj ambasadorit do të kriste marrëdhënien mes dy vendeve, por deklaratat e deritanishme nga krerët rus e turq tregojnë të kundërtën.

Por krerët e Rusisë dhe Turqisë reaguan menjëherë duke mohuar këtë gjë.

Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi atentatin “një provokim” që synon të prishë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Po ashtu, presidenti turk Tayyip Erdogan deklaroi se:

“Dy vendet nuk do të bien në nivelin e këtij provokimi. Ne të dy [presidenti Putin dhe presidenti Ergodan] e dimë se ky provokim i rëndë nuk do të prekë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë. Bashkëpunimi dhe solidariteti ynë në luftën kundër terrorizmit duhet të jetë dhe më i fortë.”

 

Lajme te ngjashme