Biznes dhe muzikë

Nga Desada Metaj

Shkëlzen Doli është ndoshta artisti më i famshëm shqiptar në Vjenë. Ai është pjesë e filarmonisë së famshme vjeneze dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme. Po aq e lehte është të kërkosh dhe të gjesh në internet që ai është pjesë e Asamblit Filarmonik Vjenë, një grup i përbërë nga disa instrumentistë virtuozë që luajnë në orkestrën e Filarmonisë së Vjenës. Koncertet e tyre janë shumë të ndjekura dhe të pëlqyera nga publiku dhe sigurisht ardhja në Tiranë do të jetë një sukses i radhës.

Pikërisht ky fakt të bënë të shtrosh disa pikëpyetje që lidhen me koncertin e paralajmëruar me entuziazëm nga kryeministri Edi Rama si Koncerti i Vjenës në Tiranë.

Pse duhet të gënjejë dikush për emrin dhe numrin e instrumentistëve që do të luajnë ën datën 2 në Tiranë? Pse keqpërdoret emri i një prej institucioneve muzikore më dinjitoze në botë si ai i Filarmonisë së Vjenës? Dhe në fund, pse nuk ka transaprencë për fondet e këtij koncerti dhe shitjen e biletave?

Por le t’i marrim gjërat me radhë.

Në Shqipëri nuk do të vijë Filarmonia e Vienës, këtë tashmë e kanë të qartë të gjithë që pas përgjigjes së prerë që Drejtori i Përgjithshëm i Filarmonisë së Vjenës dërgoi pas interesimit të Opinion.al.

Përgjigjija e Drejtorit të Filarmonisë së Vjenës
Përgjigjija e Drejtorit të Filarmonisë së Vjenës

 

Reagimi i qartë i tij,”zgjoi” nga gjumi edhe Ambasadën Austriake në Tiranë e cila u detyrua të shpërndajë një deklaratë ku thuhet qartë : Shkëlzen Doli do të vijë në Tiranë me një grup muzikantësh të Asamblit të tij, disa aktualë dhe ish pjestarë të Filarmonisë por dhe më muzikantë të tjerë vjenezë.

Reagimi i Ambasadës Austriake në Tiranë. Foto Opinion.al

Pra qartas paralajmërimi për një “koncert të Vienës” në Tiranë nuk është më i vërtetë por një mashtrim i fshehur mes terminologjisë së vështirë për t’u kuptuar nga shumica e shqiptarëve.

Por ndërsa dy institucionet (jo shqiptare) sa më sipër nxituan të sqarojnë pozicionin e tyre, në Shqipëri, Ministria e Kulturës ende nuk i është përgjigjur interesimit tonë për të ditur se sa instrumentistë të Filarmonisë së Vienës do të jenë në këtë Koncert.

Apo sa është shuma që ka paguar shteti shqiptar për ardhjen e tyre dhe se si është proceduar për shitjen e biletave.

Në fakt, mospërgjigja e Ministrisë nuk arrin të fshehë ato të dhëna që vetë qeveria të ofron t’i shohësh online. Për shembull, pak ditë më parë, Ministria e Kulturës ka kaluar me një procedurë transparente fondin prej gati 100 mijë eurosh në llogari të kompanisë AGE Production, sponsor general i aktivitetit në fjalë.

Për çudi, sipas ekstraktit të QKR-së kompania është krijuar në gusht të këtij viti. Shkëlzen Doli është një nga aksionerët e saj.

Aksioneri tjetër është Sadik Llapashtica, administrator kryesor i kompanisë AEG Group e cila ka aktivitet në fushën e energjitikës (kryesisht në Kosovë) dhe që prej vitit 2014 edhe në Shqipëri.

Ekstrati i QKR-së së Age Art Production.
Ekstrati i QKR-së së Age Art Production.

Si mundet që Ministria e Kulturës i kalon për menaxhim 100 mijë euro një kompanie të formuar vetëm 4 muaj më parë për të organizuar një aktivitet kaq të rëndësishëm? Dhe nëse AEG Group është sponsor general i aktivitetit, pse duhet qeveria shqiptare të paguajë këtë shumë të barabartë me buxhetin vjetor të Teatrit të Operas dhe Baletit?

Ne u përpoqëm të lidheshim dhe të pyesinim edhe përfaqësues të kësaj kompanie, por edhe ata deri më sot nuk janë përgjigjur ende.

Ndërkohë biletat janë shitur në kohë rekord, me çmime qe variojnë nga 3 mijë deri në 7 mijë lek.

Me një llogari të thjeshtë, duke marë parasysh kapacitetin e sallës së Pallatit të Kongreseve, vlera e përfituar nga shitja e tyre varion rreth 80 mijë euro.

Pra pa llogaritur kontributet e sponsoreve të këtij koncerti deri me tani Shkëlzen Doli ka përfituar 180 mijë euro.

Unë nuk mund të bëj llogari dhe nuk jam eksperte e muzikës klasike për të nxjerrë përfundimin se a ia vlejnë disa instrumentistë të Filarmonisë së Vjenës dhe disa të tjerë, miq të Shkelzen Dolit të paguhen kaq nga publiku shqiptar. Ndoshta vlejnë dhe më shumë.

Ajo që unë di me siguri është që një publik i tërë, i etur për aktivitete kulturore në një Shqipëri të zhytur në tallava, u gënjye haptas për një koncert që nuk është ai që shohin në postera apo në statuset e kryeministrit.

Unë mund të them prapë me siguri që interesi i publikut do ishte po kaq i madh edhe sikur Shkëlzen Doli të vinte vetëm me violinen e tij në pallatin e Kongresve.

Ashtu sikur e di që këto nuk janë fondet e parat e para (dhe për fat të keq as të fundit) që qeveritë shqiptare shpërdorojnë për makiazhin e tyre.

Duke harruar se nuk bëhesh europian me koncertetet “fake” të Vjenës kur në parlament ke ende kriminelë e trafikantë, kur spitalet i ngjanë kampit të Aushvicit dhe kur kriminelët e liruar mund të jenë në rreshtin e parë të një koncerti më muzikë të Shtrausit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>