Aktivistë e studentë të Organizatës Politike (OP) dhe Lëvizjes për Universitetin (LP) penguan, dje, në mbrëmje mbajtjen e një aktiviteti politik organizuar nga Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH) në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Ligji për Arsimin e Lartë dhe rregullorja e Universitetit të Tiranës e ndalojnë organizimin e veprrimtarive partiake në mjediset e institucioneve arsimore publike, pasi ato kërcënojnë panshmërinē politike të arsimit publik.
Në aktivitetin e quajtur “FRESSH Talk”, anëtarët e forumit, njëkohësisht anëtarë të PS-së, do të bisedonin më kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Në videon e postuar nga të rinjtë e OP-së në faqen e tyre në Facebook, tregohet momenti kur të rinjtë ballafaqohen me organizatorët e aktivitetit duke u shprehur se zhvillimi i aktiviteteve politike në mjedise universitare është shkelje e ligjit
E vetmja përgjigje e drejtuesve të FRESSH-it është se “salla është e marrë me qira”.
Ndërhyrja e aktivistëve bëri që aktiviteti me kryebashkiakun Veliaj të anulohej. Në deklaratën e tyre në Facebook, aktivistët shkruajnë:
Një grup aktivistësh të lëvizjes Për Universitetin u futën në sallën e takimit për t’i përballur organizatorët me shkeljen e ligjit dhe rregullores, si edhe për t’i kujtuar z. Veliaj përgjegjësinë e tij (jo vetëm) politike për vrasjen në punë të Ardit Gjoklajt, të riut që punonte skllavërisht në landfillin e Sharrës që të kishte mundësi të vazhdonte shkollën. Përderisa dyert e jetës dhe universitetit janë të mbyllura për Arditët, këto të fundit nuk kanë pse të jenë të hapura për pushtetarët keqbërës.