Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për pezullimin e ligjit të vetingut

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për pezullimin e ligjit të vetingut

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për të pezulluar ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i vetingut.

Sipas burimeve të OraNews , 6 gjyqtarë kanë votuar kundër kërkesës së opozitës, ndërsa dy pro.

Në orët në vazhdim pritet zyrtarizmi i vendimit, i cili i hap rrugë zbatimit të ligjit të vetingut.

Ligji është një nga shtatë ligjit që plotësojnë paketën e reformës në drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligj u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.

Në tetor, Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin.

Ekspertët e opozitës pretendonin se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit te kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim.

Gjykata Kushtetuese i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion miqësor lidhur me ligjin.

Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias bëri të ditur qëndrim e saj.

Komisioni nuk vlerëson kushtetueshmërinë e ligjit, çka është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por përputhshmërinë e përgjithshme të tij me standardet europiane.

Në lidhje me çështjen nëse lejon apo jo ligji ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, Komisioni shprehet se roli i dy organeve—Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) — “duhet të kufizohet deri në atë pikë sa nuk cënon funksionimin e institucioneve të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA)”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>