Kryeministri Rama, në fjalimin e tij më shumë se një orë të gjatë në Asamblenë e PS-së, foli për reformat e Qeverisë Rama dhe për të ardhmen e koalicionit PS-LSI.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Rama ishin:
Për reformat dhe arritjet e Qeverisë Rama:
- Kjo është mbledhja e fundit e asamblesë për këtë vit e cila shënon edhe hyrjen në një fazë të re për partinë tonë për një mandat të ri për të vazhduar përpjekjen tonë për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër.
- Nëse do t’i referohemi listës së gjatë të angazhimeve të marra dhe të punëve të kryera do të duhej një fjalim që do të zgjaste deri nesër dhe këtë nuk e them në sensin alegorik, por në kuptimin e plotë të fjalës.
- Ne qysh ditën e parë hoqëm nga supet e shtresës së mesme dhe të varfër barrën e taksës së sheshtë 10%. Me këtë lëvizje u dhamë 140 mln dollarë të tjerë atyre që paguajnë një taksë mbi rrogën.
- Në tre vjet kemi arritur të realizojmë 300 mijë legalizime.
- Sot jemi në gjendje të rrisim rrogat dhe të spostojmë nga arka e shtetit në arkën e familjeve 100 mln dollarë në vit, ndërkohë që qeveria e mëparshme në 8 vjet spostoi 124 mln dollarë.
- Ajo që ne ndaluam në vitin 2013 me reformat tona ishte procesi i një hemorragjie që kishte rrënuar të gjithë sektorët. Sot nuk ka asnjë sektor që nuk është transformuar.
- Rritja ekonomike prej 3,5 për qindësh nuk është një rritje e mjaftueshme, por e bën Shqipërinë me rritjen ekonomike më të lartë në rajon.
- Kemi nevojë të shkojmë përtej 5 për qindëshit dhe do të shkojmë. Kemi një plan për të shkuar në mbi 7 për qind në tre vitet e ardhshme, përmes një plani masiv prej 1 miliardë dollarësh.
- Shqipëria nuk ka më një borxh që e kërcënon. Është hera e parë që rriten pensionet dhe rrogat pa u thelluar borxhi.
- Të vijmë tek papunësia ku tregohemi çdo ditë me gisht, qoftë nga Saliu dhe qeveria e vjetër, qoftë nga tellallët që sheshin librat e Saliut. Statistikat ndërkombëtare thonë se është rritur punësimi, ka rënë varfëria.
- E mbyllëm vitin me një paketë solidariteti, që jo vetëm na identifikon në sytë e të gjithë atyre që janë në nevojë, por edhe në ndihmon që të kuptojmë sesa rrugë kemi bërë në këtë periudhë kohë pasi u nisëm nga një pikë halli.
- Për familjet me ndihmë ekonomike do japim shpërblime për fundvitin. As ky shpërblim nuk zgjidh vështirësitë e tyre. Në raport me vështirësitë jemi kokulur.
- Jam shumë i pakënaqur pasi mund të bënim më shumë. Jam i bindur se kjo pakënaqësi është e shëndetshme.
- Partitë dhe qeveritë nuk dallohen nga fakti se sa engjëllorë janë, po sa djaj janë. Ne nuk kemi bërë asnjë tradhti apo mëkat që dëmton vendin apo qytetarët.
Për të ardhmen e koalicionit me LSI:
- Qëllimi ynë strategjik është që të jemi bashkë në koalicion me LSI.
- Kjo nuk është një çështje Dinamo-Partizani, sigurisht ne jemi partnerë, konkurrentë, patjetër ne duam ta fitojmë kampionatin, nuk duam ta fitojë LSI, por është një konkurrencë e shëndetshme, në kuadrin e një partneriteti strategjik.
- Do thoni po përse nuk e thonë ata?! Normalisht i madhi mund të thotë çfarë do, të voglit i takon të mendohet.
Për reformën në drejtësi:
- Më çoi një mesazh dikush sot dhe më thoshte që kush e bllokoi vetingun? Unë me Ver Llapën…
- Sot në pallatin e drejtësisë ka filluar të ndihet tërmeti, por realisht nuk kanë parë gjë akoma.
Për opozitën:
- E keqja në vend ka një emër; emrin e ka Sali Berisha bashkë me çetën e tij.
- Ashtu si varfërinë dhe papunësinë, edhe krimin nuk e sollëm ne në 2013-ën, por e gjetëm këtu mes tyre.
- Në Kuvend çdo të enjte mblidhen gjithë zuzarët dhe tellallët e të shkuarës dhe thonë që mjafton të iki kjo qeveri dhe do të zgjidhen problemet.
- Patjetër që ne kemi beteja për të bërë, por unë e refuzoj akuzat ngado që të vijë qoftë nga sharlatanët, qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministrin e Brendshëm për Klement Balilin.
- Klement Balili është në kërkim siç janë në kërkim sot bosët e narkotrafikut edhe në Amerikë, edhe në Itali edhe në të gjithë botën.
- Dallimi është i madh, sepse deri dje do ishte në kërkim, do të ishte i ulur këmbëkryq, duke ngrënë mish qengji e duke drekuar bashkë me drejtorët e Policisë, e duke dalë në Facebook. Sot është i fshehur vrimave dhe herët ose vonë do të shkojë mbrapa hekurave.