Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar gjithë veriun dhe verilindjen e vendit. Në akset rrugore të veriut, shoferët këshillohen të përdorin zinxhirë për makinat e tyre.
Situate paraqitet më e vështirë në fshatrat e veriut, kryesisht në Bulqizë e Dibër ku disa zona janë bllokuar. Rrugët nuk janë pastruar nga dëbora, pasi kompanisë së mirëmbajtjes së rrugës i ka mbaruar kontrata. Mediat raportojnë se pranë Krastës, dy qytetarë të sëmurë,në gjendje të rëndë, janë izoluar në fshat.
Ndërkohë në Rrugën e Kombit, borëpastrueset janë vënë në punë, por gjithsesi këshillohet përdorimi i zinxhirëve të makinave, për të shmangur rrëshqitjet dhe aksidentet.
Në qarkun e Tiranës, deri më tani vetëm në rrugët për në malin e Dajtit këshillohet përdorimi i zinxhirëve. Reshjet e dëborës në këtë zonë kanë nisur që dje, e priten të rriten në fundjavë.
Situata paraqitet e qetë në jug e juglindje të vendit, ku reshjet e dëborës nuk kanë nisur ende. Të gjitha akset në qarqet e jugut janë të hapura dhe qarkullimi vazhdon normalisht.
Në gjithë vendin, gjatë fundjavës temperaturat priten të ulen ndjeshëm, deri në -20 gradë në veri e në jug, e deri -17 gradë në Shqipërinë e mesme.