
Në Francë, Gjykata e Colmarit ka nisur gjykimin për ekstradimin ose jo në Serbi të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Zoti Haradinaj u arrestua dje në aeroportin e Basel-Mulhouse bazuar në një fletë arresti lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ku akuzohet për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Avokatët mbrojtës të Ramush Haradinajt janë shprehur se gjasat që ai të esktradohet në Serbi janë zero. Po ashtu, ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka qenë në kontakte të vazhdueshme me ministrinë homologe franceze duke u munduar të qartësojë situatën.
Më herët, liderët e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë quajtuar të padrejtë e të papranueshëm arrestimin e Haradinajt.
Në vitin 2008, Zoti Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës për akuzat e Serbisë për krime lufte ndaj popullsisë serbe.
Nga ana tjetër, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Serbisë, deklaroi sot se pret nga gjykata franceze vendimin për ekstradimin e Haradinajt.
“Për mua do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, u shpreh Zoti Vuçiç.