Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka nisur sot kontrollin dhe hetimin administrativ për pasurinë e deputetit socialist Alfred Peza.
Ky hetim i ILDKPKI-së vjen pak ditë pasi bashkëshortja e Zotit Peza bleu aksione me vlerë 1,13 miliardë lekë në bankën Credins.
Sipas Zotit Peza, paratë janë kursyer ndër vite nga ai dhe bashkëshortja e tij dhe se pasuria nuk ka të bëjë me pozicionin e tij si deputet në parlament.
Menjëherë pas bërjes publike të lajmit, Partia Demokratike kërkoi hetimin e pasurisë së deputetit.
ILDKPKI sqaroi se përveç burimit të pasurisë të Zotit Peza dhe familjarëve të tij, do të hetohet dhe gjendja e konfliktit të interesit.