Qeveria shqiptare i kërkon gazetës italiane “La repubblica” përgenjështrimin e lajmit me titull “Flamujt e ISIS në fshatrat e Shqipërisë, fuçi baruti për Pulian”, botuar më 7 janar. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka dërguar një letër drejtorit të kësaj mediaje, Ezio Mauro. Ai thekson se në Shqipëri nuk ka asnjë fshat që valëvit flamurin e ISIS. Ndër të tjera ministri shtoi se:
Nuk është hera e parë që cënohet imazhi i Shqipërisë, por shpresoj të jetë e fundit. Italisë nuk i vjen asnjë rrezik nga Shqipëria, përveç rrezikut të përbashkët, nga i njëjti armik që është terrorizmi.
Pak ditë më parë kryeministri Rama e cilësoi lajmin si gënjeshtër. Gjatë një bisede me komentuesit në facebook kreu i qeverisë shkroi se: “Një gënjeshtër e madhe po çfarë të bësh, kështu po shkon kjo punë kudo, kush nuk lexon gazeta nuk informohet, kush lexon dizinformohet!”.
Përveç se ndikon në mediat tona, kryeministri Rama po përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë dhe në mediat e huaja.