Zgjidhja e zgjedhjeve…

Nga Blendi Fevziu
Zgjidhja e zgjedhjeve…

Jetët tona mbarojnë atë ditë kur ne fillojmë të heshtim për gjërat që na shqetësojnë” – Kjo thënie e Martin Luter Kingut që sot kishte e ditën e tij, mund të citohet sa herë në Shqipëri flitet për zgjedhjet dhe gjithë debatin që shoqëron ato.

Në fakt nëse ka një gjë që në Shqipëri ka ecur mbrapsht këto 25 vjet padyshim ato janë zgjedhjet. Më 1991 dhe 1992 kemi pasur zgjedhje më normale dhe më të pakontestuara se sa ato që kishim në 2015 dhe pritet të kemi në 2017. Që nga 1992 e këtej historia e zgjedhjeve të lira është një histori dramatike manipulimi, dhune, vjedhje votash dhe mospranimi rezultatesh.

Nëse ka diçka për të cilën jemi dakort të gjithë është që kjo histori dramatike e komike njëherazi duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe për këtë duhet bërë gjithçka. Opozita ka kërkuar votim elektronik duke tentuar që çdo person të jetë përgjegjës për votën e tij. Masa është tejet e llogjikshme dhe ka funksionuar në shumë vende në Afrikë. Në Nigeri, rrotacioni i pushtetit nga Presidenti në fuqi, Xhonatan Gudluk tek Presidenti aktual Muhamadu Buhari u realizua më 2015 vetëm kur në vend u aplikua votimi elektronik. Në këtë rast, u vërtetua se numri i atyre që votonin realisht ishte afro 9 % më i vogël se sa ai që ndodhte në votimin jo elektronik. Nuk ka asnjë rëndësi se si do të jetë rezultati në këtë rast. Mbase ai nuk mund të ndryshojë asgjë, por votimi elektronik heq një dyshim jo të vogël të mënyrës së votimit në Shqipëri.

E dyta, që është edhe më shqetësues, është financimi i partive në zgjedhje dhe pabarazia totale që krijohet në këtë rast. Ka dy mënyra se si krijohet kjo pabarazi.

Një është ajo që vjen prej përdorimit të infrastrukturës shtetërore qëndrore dhe lokale në zgjedhje. Një armatë makinash, parash, njerëzish që paguhen me fondet e shtetit dhe që vihen në dispozicion të partive. Kjo është jo vetëm e pandershme por edhe shkelje e ligjit. Që kjo të frenohet, duhet që masat ndaj atyre që i shkelin të jenë edhe më të ashpra.

Tjetra, është financimi i fshehtë dhe i paligjshëm i partive. Edhe kjo është shkelje ligji, që e dinë dhe e kanë pranuar të gjithë. Sipas të dhënave publike, shteti financon partitë në zgjedhje me afro 1.5 milion usd, por ajo që partitë shpenzojnë është mbi 30 milion. Këta janë para të dala nga ilegaliteti, korrupsioni, të financuara nga biznese të dyshimta dhe krimi. Futja e këtyre parave deformon rezultatin përmes pabarazisë së mjeteve ashtu si edhe përmes blerjes direkte të votës. Kjo histori duhet të marrë fund. Parlamenti duhet të hartojë një ligj që ta kriminalizojë krejtësisht përdorimin e financimeve të paligjshme në zgjedhje. Ndëshkimi duhet të jetë i ashpër që kjo histori, një kancer i mirëfilltë politik, të marrë fund.

Pa u zgjidhur këto probleme që kanë rezultuar tejet shqetësuese këto kohë zgjedhjet në Shqipëri nuk do prodhojnë asgjë më shumë se sa debati i përhershëm për njohjen ose jo të rezultatit…

Botuar më parë në Opinion.al

Lajme te ngjashme