Akademia e Shkencave zgjodhi dje me shumicë të thjeshtë anëtarët dhe anëtarët zëvendësues të komisioneve Ad hoc për vlerësimin paraprak të kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Katër kandidaturat e paraqitura për votim ishin përcaktuar më parë nga kryesia e institucionit, duke mos i lënë hapësirë kandidimi anëtarëve të tjerë të akademisë. Prandaj, Akademia praktikisht konfirmoi përzgjedhjet e kryesisë.
Ndërkohë, ligjet e reformës në drejtësi përcaktojnë se propozimi i kandidaturave duhet të jetë i hapur për çdo anëtar të Akademisë.
Kryesia e Akademisë përbëhet nga Kryetari Muzafer Korkuti, 81 vjeç arkeolog , Zëvendës Kryetari Gudar Beqiri dhe Akademiku Vasil Tole. Ndërsa asambleja e Akademisë përbëhet nga 32 anëtarë. Kandidaturat e propozuar nga kryesia ishin Muzafer Korkuti, Vasil Tole, Floresha Dado dhe Beqir Meta.
Në mënyrë domethënëse dy nga kandidaturat e Akademisë për anëtar të komisionit Ad Hoc të KLP-së dhe KLGJ-së ishin ajo e Kryetarit Korkuti dhe Sekretarit Shkencorë të kryesisë Vasil Tole, praktikisht të dy akademikët janë vetëpropozuar.
Ky proces i paligjshëm i përzgjedhjes së kandidaturave u kritikua nga akademiku Artan Fuga, i cili para pak ditësh bëri publike shkeljet e procesit duke kërkuar anullimin e tij.
Veprimi i Akademisë prek objektivitetin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe qëllimin e reformës në drejtësi.
Më poshtë shpjegohet shkurtimisht përbërja dhe funksionimi i komsioneve Ad Hoc.
Komisioni i Pavarur Ad Hoc
- Komisioni i Pavarur Ad hoc bën verifikimin paraprak të plotësimit të kushteve ligjore dhe vlerësimin paraprak të integritetit moral e profesional të kandidatëve jashtë sistemit për KLGJ dhe KLP.
- Komisioni përbëhet nga kryetari — Avokati i Popullit; zëvendëskryetari — Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drëjtësi, Anëtarë — dy avokatë, më i riu dhe më i vjetri në moshë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, një anëtar rregullt i Akademisë së Shkencave nga shkencat shoqërore. Ai rendit kandidaturat në bazë të meritave dhe i dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
- Dhoma Kombëtare e Avokatëve dhe Akademia e Shkencave paraqesin listën me anëtarët e zgjedhur prej tyre sipas kritereve të parashikuara në ligjin për institucionet e drejtësisë, pranë Avokatit të Popullit.
- Komisionet mbështeten nga ana financiare dhe administrative nga Avokati i Popullit.