Të paktën 24 persona me Covid-19 vdiqën të martën në Ballkanin Perëndimor duke e çuar totalin e rajonit në 245 të vdekur.
Serbia (9), Kroacia (6) dhe Maqedonia e Veriut (6) ishin vendet me më shumë viktima duke vazhduar prirjen negative për një bilanc më tragjik.
Nga të shtatë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk raportoi vdekje tjetër në 24 orët e fundit, ndërsa mbrëmjen e së hënës një viktimë u regjistrua edhe në Shqipëri.
Në Serbi totali i viktimave shkoi në 94 të martën, ndërsa autoritetet diagnostikuan edhe mbi 400 persona të tjerë me koronavirus – 4 465 të infektuar.
Autoritetet serbe kanë deklaruar se mbi 500 punonjës të sistemit të shëndetësisë janë infektuar me Covid-19 ndërsa mbi 1 mijë të tjerë janë në pritje të rezultateve të analizave.
Në Kroaci nga koronavirusi kanë vdekur 31 persona ndërsa të infektuarit shkuan në 1 704 – 54 më shumë se një ditë më parë.
Njësoj e marta si ditë tragjike ishte edhe në Maqedoni të Veriut ku totali i viktimave ka vajtur në 44 – 908 të infektuar, 54 më shumë se të hënën.
Në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor janë testuar rreth 74 mijë persona, prej të cilëve 9 295 janë diagnostikuar me Covid-19, nga ku 245 kanë vdekur dhe 1 447 janë shëruar.