Pjesa më e madhe e grave nuk e raportojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre ndërsa edhe ato raste që raportohen pak herë përfundojnë me dënime.
Rreth 46% e grave janë të mirëinformuara se çfarë të bëjnë nëse përjetojnë dhunë, sipas një studimi të OSBE, ndërsa 28% gra kanë pak ose aspak informacion.
Vetëm 1% e grave që raportojnë se janë ngacmuar seksualisht e kanë denoncuar atë në polici.
Rastet e dhunës nga partnerë ose jo partnerë që raportohen në policia janë më pak se 17% e totalit.
Vitet e fundit kemi rritje të rasteve të regjistruara të dhunës në familje nga rreth 2 mijë në vitin 2010 në rreth 5 mijë në 2018.
Kërkesat për urdhër mbrojtje janë shtuar gjithashtu nga rreth 1200 në rreth 3 mijë, nga 2010 në 2018.
Megjithatë kjo rritje nuk do të thotë se kemi shtim të dhunës në familje.
“Numri i grave dhe vajzave që denoncojnë dhunën është rritur dhe kjo tregon se niveli i ndërgjegjësimi për ta denoncuar dhunën është rritur” tha për Me Pak Fjalë, Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, një nga veprimtaret e para në kauzën e dhunës ndaj grave.
Sidoqoftë, rreth 25% e rasteve të dhunës ndaj grave hetohen nga prokuroria dhe çohen në gjykatë. Në rreth 75% të tyre dhunuesi është dënuar.