Ambasadori Lu e quan deklaratën e Ramës për bashkim me Kosovën “të pakujdesshme”

Ambasadori Lu e quan deklaratën e Ramës për bashkim me Kosovën “të pakujdesshme”
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu tha për BIRN se deklarata e kryeministrit Rama për perspektivën e bashkimit me Kosovën ishte “e pakujdesshme” dhe se pengonte stabilitetin në rajon.

Ambasadori amerikan në Shqipëri ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për hedhjen e mundësisë për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës nëse të dyja vendet ndihen të refuzuara nga Bashkimi Europian.

“Qeveria Amerikane mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi kundër çdo diskutimi të pakujdesshëm për bashkim. Ai pengon stabilitetin e rajonit dhe rrugën europiane për të dyja vendet,” tha Lu për BIRN.

Në një intervistë për Politico në Europë të publikuar më 18 prill, Rama tha se nëse dyert e Europës mbylleshin për Ballkanin Perëndimor, do të shfaqeshin bashkime më të vogla, si bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

Rama këmbënguli se kjo nuk ishte ajo që ai dëshironte, por shtoi se nëse BE-ja dështonte të integronte Ballkanin, gjithçka mund të ndodhë.

“E vetmja mënyrë për të mbajtur Ballkanin në këtë frymë paqësore dhe bashkëpunuese… është të mbahet e hapur rruga e BE-së… Askush nuk do të donte të kthehej nga vetja dhe të kërkonte për bashkime më të vogla, të gjithë do të pëlqenin të bashkoheshin në unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë sigurisht unione të vogla mund të ndodhin,” tha Rama.

Më 19 prill deklarata e Ramës u pasua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shprehu zemërim mbi atë që e quajti “mungesë të vizionit të BE-së ndaj rajonit”.

“E kam thënë edhe në vitin 2013 dhe e përsëris tani: nëse BE-ja i mbyll dyert Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në të njëjtën hapësirë, që më vonë të integrohen në familjen europiane,” tha Thaçi.

Deklaratat e Ramës dhe Thaçit kanë zemëruar disa në Serbi, ku politikanët i dënuan ato si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Serbia ende pretendon se Kosova është pjesë e territorit të saj. Ish-provinca shpalli pavarësinë në 2008. Shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur këtë, por Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende të tjera nuk e kanë përqafuar ende pavarësinë e vendit.

 

Botuar fillimisht nga BIRN

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>