Punëtorët e stacionit të pompimit të ujit dhe nënstacionit elektrik të Poçemit kanë nisur sot grevën e urisë, për shkak se kanë 27 muaj pa marrë rrogat.
Nga 16 punonjës që furnizojnë qytetin e Ballshit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike , 6 prej tyre janë futut në grevë.
Ata prej muajsh kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme, por kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar.
Një prej punëtorëve u shpreh:
“I lutem ministres Balluku si prind ta shikojë problemin tonë se po bëjmë 27 rroga pa marrë, e di vetë me sa sakrifica kemi punuar. Kemi mbajtur një komunitet të tërë me ujë dhe drita. Nuk e dimë as nesër si do marrë kjo puna jonë. Jemi futur në borxh nëpër dyqane, nuk na japin më pa paguar lekët e prapambetura. Duke mos marrë rrogën, ne nuk e kemi lënë komunitetin pa ujë e pa drita.”
Stacioni i pompimit të ujësjellësitdhe nënstacioni elektrik në Poçem furnizon me ujë dhe energji elektrike një pjesë të fshatrave të Mallakastrës dhe qyteti i Ballshit. Ai është nën varësinë e uzinës së naftës në Ballsh, e cila për shkak të problemeve të shumta ekonomike ka ndryshuar disa herë pronar.
Greva e tyre e urisë dhe ndalimi i punës rrezikon të lërë pa ujë dhe energji gjithë zonën.