Ministri fuqiplotë për Emergjencat Civile për tërmetin, Bledi Çuçi bëri sot bilancin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Sipas të dhënave nga qeveria, tërmeti shkaktoi 51 viktima dhe 913 të plagosur; 28 milionë euro dëm financiar dhe la 13 294 qytetarë të pastrehë. Ndërsa, 29 milionë euro janë dhuruar deri më tani nga qytetarët, qeveritë e huaja dhe bizneset.
Më poshtë gjeni shifrat e deklaruara nga Ministri Çuçi:
Dëmi financiar dhe material
Dëmi financiar deri më tani është rreth 28 milionë euro.
Qeveria ka inspektuar 14 069 objekte, nga të cilat — 261 pallate janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht; 2 237 banesa janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht; 851 pallate kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta; dhe 4 618 banesa kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta.
Deri më sot, janë shembur 44 objekte, kryesisht në qarkun Durrës.
Strehimi i qytetarëve
13 294 qytetarë u strehuan, nga këto 4 149 qytetarëve në hotele; 395 qytetarë në Qendra Sociale; 254 qytetarë në palestra; dhe
7 383 qytetarë në çadra; 1000 qytetarë u strehuan në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në Kosovë.
Bonuset e qirasë dhe aparatamente të dhuruara
Kanë marrë bonus qiraje, 922 familje në Tiranë, 666 familje në Durrës. Ndërsa në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, minsitri nuk dha një shifër. 23 shtëpi u dhuruan nga qeveria për familjet më të prekura të tërmetit.
Qytetarë që morën ndihmë në spitale
913 qytetarë u plagosën dhe morën mjekim në spitalë. 20 prej tyre vazhdojnë të marrin trajtim dhe 3 prej tyre po kurohen jashtë vendit.
Dhurimet nga donatorët, qeveritë e huaja dhe bizneset
Në platformën e-albania u grumbulluan rreth 5 milionë euro nga 5 753 donatorë. 9 milionë euro u dhuruan nga qeveritë e huaja, fondacionet, bizneset dhe individët në llogaritë bankare të hapura nga qeveria. 15 milionë euro dhuroi BE. Ndërsa Turqia ka marrë përsipër ndërtimin e 500 apartamenteve.
Qeveria ka vënë në dispozicion të projektit të rindërtimit, 17 milionë euro nga këto 11 milionë euro janë financim direkt i buxhetit dhe, 6 milionë euro nga donacionet.
Operacionet e kërkim-shpëtimit
Operacionet e kërkim-shpëtimit u kryen nga 9 ekipe, të përbërë nga 278 trupa shqiptarë dhe 669 të huaj.
Forcat shqiptare të kërkim-shpëtimit nxorrën nga rrënojat 38 njerëz, ndërkohë që së bashku me trupat e huaja, u nxorrën nga rrënojat edhe 10 njerëz të tjerë, 3 prej të cilëve, fatkeqësisht humbën jetën më vonë në spital.