4 anëtarët socialistë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e njohën dekretin e Presidentit Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore, sot. Me këtë vendim KQZ ka marrë përsipër të gjykojë dekretin e Presidentin, pavlefshmëria e të cilit mund të vendoset vetëm nga gjykata me vendim të formës së prerë.
Mbledhja e KQZ u zhvillua pa praninë e Kryetarit Klement Zguri, i cili u shpreh se KQZ nuk mund të vlerësojë dekretin e Presidentit.
Unë mendoj se KQZ, duhet t’i bindet një produkti të tillë, një dekreti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e Presidentit. Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit. Për mua është e detyruar dhe duhet të respektoj dekretin e tij. Pika 2 e dekretit më urdhëron. Dekreti i presidentit është detyrues dhe duhet ta respektojmë vullnetin e tij.
Ndërsa, nënkryetari Denar Biba u shpreh se KQZ do të vazhdojë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ekziston.
Unë vlerësoj që KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor. Sikundër kushtetuta e vlerëson KQZ ka detyrimin, nuk e kemi opsion, kemi detyrim të vijojmë punën për t’i çuar shqiptarët të shkojnë të votojnë për të zgjedhurit lokalë. Kemi detyrimin t’ua mundësojmë këtë”, tha Zoti Biba.