Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në botë i kaloi të hënën 3 milionë vetë.
U deshtën vetëm 12 ditë që infeksioni të prekte edhe 1 milionë njerëz të tjerë. Më 15 prill bilanci botëror numëronte 2 milionë të infektuar dhe 128 mijë të vdekur, tashmë bilanci është rënduar me rreth 70 mijë viktima të tjera.
Pesë muaj pasi u konstatua në Wuhan të Kinës, infeksioni i kthyer tashmë në pandemi, ka vrarë mbi 200 mijë persona.
Mbi 900 mijë persona janë riaftësuar – ose ndryshe 30 për qind e të infektuarve – ndërsa vdekshmëria ka shkuar në 6.8 për qind të rasteve.
Por duhet thënë se vdekshmëria është e luhatshme në varësi të pasjes ose jo të një sistemi të zhvilluar shëndetësor dhe moshës mesatare të popullsisë.
Në shtete të ndryshme si Italia (13.5), Britania e Madhe (13.5), Franca (11.9) dhe Spanja i kalon 10 për qindshin.
Kina, vendi nga ku buroi virusi, prej rreth 6 javësh nuk raporton rritje të të infektuarve – rastet sporadike lidhen me të kthyerit nga jashtë shtetit.
Vdekshmëria nga Covid-19 në Kinë mbetet 5.6 për qind – 4 600 të vdekur nga mbi 82 mijë të infektuar.
Në rang botëror Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve – mbi 972 mijë të infektuar dhe mbi 55 mijë viktima.
Italia është shteti i dytë në botë me mbi 26 mijë viktima, ndërsa 3 shtete të tjera të Evropës, Britania, Franca dhe Spanja kanë mbi 20 mijë viktima secila.