3 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit – çfarë u bë

Nga Exit News
3 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit – çfarë u bë

Tre muaj më parë, më 26 nëntor 2019, vendi u godit nga një tërmet i magnitudës 6.3 richter me epiqendër 30 kilometra larg Tiranës. Lëkundjet dëmtuan mijëra ndërtesa ndërkohë që shkaktuan vdekjen e 51 personave.

Exit News sjell të përmbledhur zhvillimet kryesore nga 26 nëntori 2019 deri sot 26 shkurt 2020.

Problemi i strehimit nuk u zgjidh

Gjatë 3 muajve mbi 8 mijë banesa u shpallën të pabanueshme nga ekspertët e ndërtimit, ndërkohë mbi 10 mijë qytetarë u strehuan nëpër çadra.

Në fshatra nuk pati zgjidhje. Banorët nuk kishin ku t’i vendosnin bagëtitë dhe nuk largoheshin dot nga pronat. Ata u ndihmuan me çadra dhe shtëpi të përkohshme kryesisht nga organizatat dhe shoqëria civile.

Prej 1 dhjetorit qeveria kontraktoi 18 hotele për strehimin e rreth 3 mijë personave – 14 hotele në Durrës, të tjerët në Shëngjin.

Çadra e një familjeje në Mamurras.

Gjatë kësaj periudhe bashkitë u ofruan bonus qiraje rreth 12 mijë familjeve dhe pjesa më e madhe e atyre që qëndronin në hotele u larguan.

Në Durrës, deri në fund të janarit u boshatisën 10 hotele, ndërsa në Shëngjin largimi i familjarëve u bë në fillim të shkurtit.

U sigurua rindërtimi me borxhe

Në bashkëpunim me BE-në, OKB-në dhe Bankën Botërore, qeveria publikoi raportin përfundimtar të pasojave të tërmetit. Dëme u pësuan në 11 bashki. Më të dëmtuarat ishin: Durrësi, Tirana, Kruja, Kavaja, Shijaku dhe Vora.

Fatura përllogaritej deri në rreth €985 milionë dëme – ku €310 milionë ishin në Durrës dhe €303 milionë në Tiranë. Rreth 86% e dëmeve totale e pësoi privati (Kliko këtu për të parë raportin).

Dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, të shprehura në vlerë në euro.

Raporti përllogariste se për rindërtimin do të duhen mbi €1 miliardë dhe se gjendja pas tërmetit mund të ngadalësojë rritjen ekonomike. Për vitin 2020 qeveria pret që ekonomia të ketë rritje me 3.2% nga 3.5% që parashikonte para tërmetit.

Në konferencën e donatorëve “Sëbashku për Shqipërinë”, vendet e BE-së dhe partnerë të saj premtuan 1,15 miliardë euro në mbështetje të programit të rindërtimit. Rreth 70% e shumës ishte hua, thuajse gjysma vinte nga vendet islamike, ndërsa Italia dhe Turqia ishin ato që ofruan ndihmën më të madhe.

(Lexo këtu: Ndihma për Shqipërinë — 5 fakte të rëndësishme).

Programi i rindërtimit mbeti i paqartë

Në fund të muajit janar qeveria prezantoi platformën e rindërtimit, një hapësirë online ku qytetarëve iu kërkua të aplikonin brenda muajit shkurt për të përfituar shtëpitë.

Faktoje.al vuri në dukje se, të paktën javën e fundit të shkurtit, platforma online përcillte vetëm aktivitetet e qeverisë dhe nuk informonte mbi procedurat, apo ecuritë e tyre. Qeveria pretendon se deri më 26 shkurt, rreth 21,800 qytetarë aplikuan në program.

Siç Exit News ka analizuar, programi i rindërtimit shkon paralelisht me synimin për të hapur kantiere ndërtimi. Synimi fshihet në faktin se qeveria e bazon programin në praktika “zhvillimi të detyruara” me plane dhe “prishje të detyruara”.

Pasi u ndryshua ligji për kontrollin e ndërtimeve, shoqëruar me një akt normativ dhe VKM, qeveria miratoi 25 zona të zhvillimit të detyruar në Tiranë, Vorë, Shijak, Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin dhe Lezhë. Planet e zhvillimit pritet të miratohen deri në muajin mars.

(Lexo këtu: Programi i rindërtimit, nga 3 ‘Lagje të Rilindjes’ në 25 zona rindërtimi).

Konvikti nr.15 i shembur në Qytetin Studenti.

Përveç projektit për strehimin, pati lëvizje edhe për ndërtesat publike. Bashkia Tiranë pagoi 415 mijë euro për të rivlerësuar 22 ndërtesa shkollash, qendrash sociale dhe konviktesh.

U vendos që 13 shkolla të rindërtoheshin ndërkohë që disa konvikte të Qytetit Studenti dhe Institutit Bujqësor u shembën. Bashkia miksoi projektin e rindërtimit me planet për kampusin e ri duke hedhur dyshimet për dhënie me koncesion.

Asnjë nuk u dënua për pasojat e abuzimeve me ndërtimet

Më 14 dhjetor Prokuroria e Durrësit lëshoi 18 urdhër arreste, të cilat sollën ndalimin e 9 personave. Mes tyre ish-kryetari i Komunës Rrashbull Hysen Gashi. Prokuroria tha se vdekja e disa personave, banorë të ndërtesave të shembura pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës, ka ardhur si pasojë e ndërtimit në kundërshtim me ligjin të të akuzuarve.

Dy muaj më vonë Gjykata e Durrësit pushoi çështjen për 8 prej tyre.

Foto ilustruese nga disa prej të arrestuarve për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Më 15 janar Prokuroria e Tiranës lëshoi 40 urdhër arreste, të cilat sollën ndalimin e 31 personave. Mes tyre dy ish-kryetarët e komunave Kashar dhe Farkë, Besnik Fuçia e Fatbardh Plaku. Prokuroria tha se kishte evidentuar dëme në 25 institucione, 134 pallate dhe mbi 100 banesa private, përgjegjësia për të cilën binte mbi të akuzuarit. Pak javë më vonë Gjykata e Tiranës liroi 24 prej tyre.

Më 30 janar opozita kallëzoi në SPAK kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushin, Ministren e Arsimit Besa Shahinin dhe ish-kryebashkiakët e Durrësit Vangjush Dako e Valbona Sako. Kallëzimi shoqërohej akuza për: vrasje nga pakujdesia, shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera dhe korrupsion.

Që prej asaj date nuk është raportuar asgjë në lidhje me këtë kallëzim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>