Qeveria po diskuton me 3 vende ‘mike’ për furnizimin e vendit me vaksina të Covid19 të kompanisë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Kryeministri Rama u shpreh për gazetarët të martën se:
“Ne na duhet vula mbi marrëveshjen mbi shtetin tjetër mik, e cila ka nisur procesin për 360 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca. Me një vend tjetër mik jemi prapë afër. Një vend i tretë është prapë afër me ne”.
Ai njoftoi se “brenda marsit do të vijnë në vend 40 mijë dozat e Pfizerit”, dhe në prill do të vazhdohet me dozat e vaksinave të kompanisë Pfizer dhe Astra Zeneca.
Procesi i vaksinimit në vend nisi më 11 janar 2021. Vendi deri më tani ka marrë 17 255 doza të vaksinës Pfizer, 975 dozat e para erdhën dhuratë nga një vend ‘mik’. Dozat e tjera erdhën sipas marrëveshjes së qeverisë me kompaninë Pfizer: më 1 shkurt me 1070 doza, 15 shkurt 7020 doza dhe me 22 shkurt 8190 doza.