Bashkia Tiranë do t’i japë dhe 330 mijë euro të tjera shtesë kompanisë Fusha shpk për ndërtimin e parkimit nëntokësor në Sheshin Skënderbej, edhe pse parkimi nëntokësor ka përfunduar dhe ka filluar të përdoret.
Në total, vetëm për ndërtimin e këtij parkimi Fusha shpk ka përfituar rreth 2 milionë euro.
Kontrata e parë për ndërtimin e parkimit mes Bashkisë Tiranë dhe Fushës u lidh në shtator 2016 me vlerë rreth 1,64 milionë euro.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Bashkia Tiranë ka bërë një shtesë kontrate në vlerën 330 mijë euro, pa dhënë arguentim për këtë shtesë. Bashkia ka bërë gjithashtu kontratë shtesë me vlerë rreth 3 mijë euro për kompaninë 51N4E, me objekt mbikëqyrjen e punimeve në parkimin nëntokësor.
Fusha shpk është kontraktori kryesor i qeverisë. Ajo ka fituar të dy tenderat për ndërtimin e Sheshit Skënderbej, që në total arrijnë në rreth 12,6 milionë euro. Kompania do të ndërtojë dhe Bulevardin e Vlorës, me vlerë rreth 7,7 milionë euro. Po ashtu, Fusha shpk do të jetë ndërtuesi i projektit klientelist të godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Vlen të përmendet fakti se kompania Fusha ka kryer “falas” një pjesë të madhe të punimeve të godinës së Kryeminsitrisë, punime që nisën sapo Edi Rama mori postin e Kryeministrit.