Konfindustria Shqiptare — Presidenti i ri me licensë për produktet e kanabisit

Konfindustria Shqiptare — Presidenti i ri me licensë për produktet e kanabisit

Disa ditë më parë, Konfidustria Shqiptare—degë e më të njohurës Konfindustria Italiane—që mbledh bashkë 50 shoqëri, ndër të cilat vetëm një pjesë e vogël kanë në Shqipëri aktivitet domethënës prodhues dhe tregtar (Coca-Cola, SOL, Maccaferri, Base Protection, Essegei, Petrolifera Italo-Shqiptare, Banka Intesa San Paolo), mblodhi këshillin e saj për të zgjedhur një president të ri, duke qenë se i vjetri, industrialisti Donato D’Agostino, u dorëhoq për arsye personale.

Presidenti i ri i zgjedhur është sërish nga Bari, Sergio Fontana, farmacist, president i Konfidustrisë për zonën Barleta-Andria-Trani, administrator i Farmalabor s.r.l, një kompani pulieze aktive në shpërndarjen e lëndëve të parë dhe plotësuese për përgatitjen e materialeve farmaceutike galenike. As Farmalabor dhe as Fontana personalisht nuk rezultojnë të ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri.

Në njoftimin për shtyp të publikuar nga Konfidustria shkruhet se Presidenti Fontana ka thënë se:

Angazhimi im do të jetë të kthehemi në një pikëreferimi për sipërmarrjet italiane dhe pulieze që synojnë të bëjnë biznes në Shqipëri, si dhe për institucionet shqiptare. Do të ndihmojmë sipërmarrësit të përqafojnë mundësitë e shumta të tregut që ofron lulëzimi ekonomik shqiptar.

Në fakt, Shqipëria nuk përfaqëson thjesht një rast të zhvendosjes së prodhimit me kosto të ulët, por një treg të vërtetë përfundimtar për shumë produkte Made in Italy. Për të lehtësuar biznesin e sipërmarrjeve italiane do të angazhohemi t’i kërkojnë institucioneve shqiptare pikë së pari vendosjen e një linje fluturimi direkte me Barin dhe një forcim të marrëdhënieve me botën universitare, që tashmë ka disa vite që po zhvillohet.

Fontana ka nënvizuar kështu si qëllim kryesor mbështetjen e depërtimit tregtar të kompanive pulieze dhe italiane, ndërsa nxitja e aktivitetit prodhues të kompanive italiane mbetet në plan të dytë, dhe mbështetja ndaj kompanive të vendosura tashmë në Shqipëri nuk përmendet fare. Është i lëvdueshëm angazhimi për të kërkuar një fluturim direkt në Bari, duke qënë se kjo është një ndalesë e lënë pas dore (për mungesë trafiku) të linjave që operojnë në Shqipëri.

Analiza e kujdesshme e profilit sipërmarrës të presidenti të ri Fontana ngre një hipoteze pak sugjestionuese.

Kompania e tij në fakt, edhe pse nuk ka ndonjë xhiro të madhe të ardhurash, është sigurisht një kompani e mesme dhe e re, me mundësi të mira për t’u rritur: përveç se është vlerësuar vazhdimisht nga institucione të ndryshme publike për novacionin e saj në biznes, ajo është një nga të paktat kompani italiane që ka autorizimin e Ministrisë së Shëndetësisë për tregtimin e nënprodukteve të derivuara nga kanabisi për përdorim terapeutik.

Ky fakt, edhe për mungesë të konfirmimeve zyrtare, lë të hapur hipotezën e një strategjie të ardhshme për shfrytëzimin ekonomik të një burimi natyror të bollshëm shqiptar, mesa duket kësaj here në një fushë të ligjshme dhe me mbështetjen publike të të dy qeverive, me mundësinë për shfrytëzimin më racional (dhe mbi të gjitha të ligjshëm) të lëndës së parë për industrinë farmaceutike italiane dhe europiane.

Shpresojmë, që nëse kjo hipotezë vërtetohet e realizohet, fuqitë e vërteta vendase të mos e quajnë “konkurrence të pandershme”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>